Më 8 shtator 1946, rreth 450 antikomunistë të armatosur filluan lëvizjen drejt Shkodrës në tre drejtime. Duke u zbardhur 9 shtatori 1946, 250 persona u grumbulluan në fushën e Shtojit dhe 200 të tjerë në Rrenc.
Nga Postriba, lëvizja u drejtua nga Shkodra. Sulmi filloi nga verilindja dhe nga juglindja e qytetit. Beteja kryesore u zhvillua te kazermat e qytetit. Në betejën e zhvilluar u vra një drejtues komunist dhe u plagos një tjetër.
Për shkak të forcave më të pakta, forcat antikomuniste nuk mundën të hyjnë në qytet. Drejtuesi i lëvizjes Jup Kazazi, u diktua më 15 shtator 1946 në një shtëpi në Shkodër. Për të mos rënë i gjallë në duart e komunistëve, vrau veten.
Kryengritja synonte të njëjtën gjë që shqiptarët arritën në dhjetor 1990, përmbysjen e regjimit komunist dhe vendosjen e rendit kapitalist.Kryengritja u zhvillua në rrethanat politike të krizës së marrëdhënieve të regjimit komunist me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.
Ajo u bë ditët kur po zhvillohej konferenca e paqes në Paris (29 korrik – 15 tetor 1946), në të cilën SHBA-ja deklaroi se nuk do ta njihte qeverinë komuniste të Enver Hoxhës.
Bilanci i të dhënave:
-U arrestuan rreth 200 persona
-U pushkatuan pa gjyq 33 persona
-U pushkatuan me gjyq: 5 persona
-U dogjën nga regjimi pas ngjarjes: 33 shtëpi
-U arratisën: 69 persona
-U zhvilluan 5 procese të mëdha gjyqësore e disa të tjera më të vogla, ende të paidentifikuara të gjitha. Në këto procese u përfshinë edhe shumë persona që nuk kishin lidhje me ngjarjen, por thjesht ishin antikomunistë. /Nga Kastriot DERVISHI, publikuar në Facebook/