Të dashur nxënës, prindër dhe kolegët e mi mësues,
Dëshiroj ta hap fjalën time përshëndetëse për këtë vit të ri shkollor, me vogëlushët që sot rreshtohen për herë të parë në oborret e shkollave, me zemrat që i rrahin fort e duart e vogla që shtrëngojnë lulet për mesueset e tyre. Suksese në këtë rrugëtim të gjate, të bukur, të lodhshëm, me sakrifica por edhe shumë shpërblyes.
Ju jeni ata, tek të cilet në projektojmë të ardhmen, duke ju parë me sytë e shpirtit, duke ju dëshiruar më të mirën me forcën e zemrës por edhe shpresëplotë se e ardhmja jonë është në duar të sigurta.
Të dashur maturantë!
Ju që këtë vit ngjisni shkallën e fundit drejt lisharëses së jetës. Ju që ngjani me ato raketat që janë gati për tu shkëputur nga baza, qoftë një vit i mbarë për ju, i kthjellët në vendimarrje e shpagues i gjithë sakrificave tuaja të 12 viteve të fundit!
Ndërsa, të gjithë ju të dashur nxënës që kaloni në klasa të ndërmjetme, vërtetë këtë vit mund të jeni ata më moskokëçarësit, jeni ata që nuk keni nevojë që në ditën e parë të shkollës t’iu shoqërojë njeri.
Me urimin për mbarësi, kam edhe një porosi: Kushtojini vëmendje miqve tuaj të klasës…bëni vend në grupin tuaj shoqëror për shokë të rinj, mbani në vëmendje ata që janë pak më të heshtur apo më të tërhequr…përfshini të gjithë, mos lini askënd pas! Fëmijëria është akoma më e bukur kur të ndryshmit janë edhe të bashkuar.
Të dashur prindër,
Prindërimi nuk qenka i lehtë dhe sigurisht sfidat u shtohen më shumë ndërkohë që fëmijët tanë ngjisin shkallët e edukimit. Shkolla, shokët, mësuesit, miqtë dhe të afërmit, secili lë gjurmët e veta. Le të punojmë së bashku që t’u shtrojmë fëmijëve tanë tatëpjetën në arritje dhe ti mësojmë ta ngjisin me shokët e tyre për dore, duke mbështetur, duke përkrahur, duke i dhënë një dorë në ngjitje atyre që shpesh e kanë ose janë të pamundur për ta bërë këtë rrugëtim. Shoqëria jonë ka nevojë për të rinj solidarë, mbështetës, empatikë, me zemër të mirë, të bardhë e të hapur, me sy plot ndriçim e shpresë, sa herë dikush ka nevojë për ta.
Të nderuar kolegë,
Ne kemi në duar pasurinë e familjeve dhe të ardhmen e kombit. Familja na ka besuar dritën e syrit dhe ne jemi syri përmes të cilit ato do shohin botën. Mësimdhënia nuk është e lehtë, ka lodhjet dhe sfidat e veta por kur shikon fidanët që ke edukuar duke arritur suksese, nuk ka krenari dhe kënaqësi më të madhë se të mbyllësh sytë në darkë e të ndjehesh e qetë në përmbushjen e misionit tënd.
Të dashur kolegë,
Puna në kolektiv ka sfidat e veta por sfidat bëhen më të lehta kur kolegët mbështesin njëri- tjetrin. Është kënaqësi të zgjohesh në mëngjes me motivimin që do shkosh në punë i qetë dhe këtë qetësi, jeni ju që ia krijoni njëri- tjetrit. Qofshi të palodhur, të durueshem, mendjehapur dhe të suksesshëm në këtë vit shkollor.
Vit të mbarë për të gjithë ju! Me krahë të lehta me sfida të sukseshme dhe me arritje të merituara dhe të vlerësuara! Na priftë e mbara të gjithëve! /Publikuar në Facebook nga Brisela KADIA, drejtore e ZVAP Shkodër/