Imzot Angelo Masafra u ka uruar nxënësve në Shqipëri ditën e parë të shkollës. Arqipeshkvi i Shkodrës e nisi urimin e tij me një kërkesë për kujdes drejtuar prindërve dhe shoqërisë si e tërë, pasi edukimi shenjon edhe të ardhmen e një kombi.
“E nesërmja varet nga e sotmja. Shqiptarët duhet të jenë të formuar shpirtërisht, kulturalisht, moralisht. Shkollat pa standarde janë vërtet një fatkeqësi, por të gjithë duhet të angazhohemi që njeriu të mos mbetet pa kulturë.
Unë sa herë them se rrezikojmë të kthehemi në analfabetizëm. Komunizmi një gjë të mirë e ka pasur: hoqi analfabetizmin. Sot fatkeqësisht rrezikojmë të shkojmë në analfabetizëm. Jeta varet prej nesh. Uroj që kultura, feja dhe vlerat morale të jenë shtyllat për jetën tonë sot e nesër,” tha imzot Masafra.
Ai u drejtoi mesazh edhe mësuesve e prindërve që të mos mbrojnë fëmijët e tyre nga shpërdorimi i kohës me veprimtari moderne pa dobi.
“Uroj me gjithë zemrën që mësuesit, drejtuesit e shkollave të angazhohen për çdo fëmijë si për fëmijën e vet, veçanërisht për fëmijët e dobët, që nuk kanë mundësi si shumë familje të tjera. Një thirrje u bëj prindërve: të kenë kujdes që fëmijët të bëjnë detyrat e shtëpisë, të mos humbasin shumë kokë para celularëve apo me mediet, por të kenë kohë për të pushuar, për të luajtur, për sport, jo për të humbur kohën kot,” u shpreh argjipeshkvi i Shkodrës.