Autoritetet greke kanë nisur kontrollet dhe kërkimet për kapjen e autorëve të ngjarjes makabre të ndodhur ditën e sotme (11 shtator) në periferi të Athinës, ku kanë mbetur të vrarë 6 persona, të cilët dyshohet se janë shqiptarë.
Mediat greke shkruajnë se viktimave u është bërë pritë nga një bandë rivale dhe shkak janë bërë larjet e hesapeve.
Ndërkohë, gazetarja Ira Londo në një komunikim të drejtpërdrejtë për News24, ndau detaje të reja rreth ngjares së rëndë, duke bërë me dije se targat e mjetit ku u gjetën 6 viktimat janë false, ndërsa theksoi se dhe autorët dyshohet se janë shqiptarë.
Londo raportoi se autoritetet greke kanë dhënë urdhër që në të gjitha pikat kufitare të ketë kontroll të vazhdueshëm për autorët e krimit.
“Ka pasur shkëmbim zjarri në Lucë. Nga ky shkëmbim zjarri kanë mbetur të vdekur 6 persona, njëri prej tyre dyshohet të jetë shoferi. Sipas autoriteteve greke, janë gjetur 25 plumba. Targat gjermane janë false. Autorët dyshohen të jenë shqiptarë, sipas të dhënave të dëshmitarëve rezultonin, si dhe nga dokumentet e gjetura. Autoritetet greke kanë dhënë urdhër në të gjitha pikat kufitare të ketë kontroll të vazhdueshëm për autorët e krimit. Hetimet janë në vijim. Këto janë informacione paraprake, pasi ngjarja ka ndodhur 2 orë më parë. Nuk ka qenë thjesht një ekzekutim, pasi ka pasur të shtëna dhe nga viktimat”, tha Londo për News24.