Gjatë Luftës së Parë Botërore Perandoria Austro-Hungareze kishte vendosur të konkretizonte projektin e hekurudhës Shëngjin Ferizaj.
Hapësira shkodrane, harresa dhe vlerat e ekosistemit urban si ofertë për zhvillimin e turizmit.
Shkodra është qyteti i udhëkryqeve për lëvizjet drejt veriut e lidhjen e Shqipërisë me Gadishullin Ballkanik dhe Evropën Qendrore.
Oferta turistike e Rajonit të Shkodrës është pjesë sasiore dhe cilësore e ofertës së regjionalizuar turistike në suazéën e gjithë Shqipërisë dhe e strategjisë së zhvillimit të turizmit në vëndin tonë. Vlerësimi turistik i hapësirës urbane të Shkodrës e Rajonit në përgjithësi, mund të përcaktohet me aftësitë e mjedisit gjeografik dhe vëllimit të ofertës turistike të elementeve tërheqëse natyrore dhe antropogjene, të cilat përbëjnë rrjetin e prodhimit turistik të kësaj hapësire. Në këtë përcaktim evidentohen qartë dy përbërësit paraprakë për kategorizimin dhe shkallën e vlerësimit turistik të mjedisit urban té Shkodrës.
Së pari, faktologjia në hapësirë si peizazhi gjeografik, terrenet potenciale për eksplorim turistik, dukuritë morfologjike, hidrologjike. tiparet dhe elementët klimatike, biodiversiteti, etj.
Së dyti, faktologjia e ambienteve antropogjene, si arkitektura autoktone e qytetit, vendet e përmendoret historike, muzetë, vetitë etnosociale, si artizanati, doket, zakonet e folklori i popullsisë vendase, kulinaria, prodhimet e suvenireve për tregjet turistike etj.
Në këtë artikull do të trajtohen dy aspekte që mendojmë se përbëjnë vlerat më të spikatura turistike të hapësirës urbane të Shkodrës, siç janë: pozita gjeografike dhe monumentet e kulturës në pjesët muzeale të qytetit sot.
Vlerat polivalente të pozitës gjeografike
Një vend parësor në ofertën turistike të hapësirës urbane të Shkodrës ka pozita gjeografike e kësaj hapësire me vlerat polivalente për lëvizjen turistike. Shkodra është qyteti i udhëkryqeve për lëvizjet drejt veriut e lidhjen e Shqipërisë me Gadishullin Ballkanik dhe Evropën Qendrore, qendër e vjetër urbane e tregtare. Ajo aktualisht përbën porten kryesore rrugore, automobilistike e hekurudhore për lidhen e Shqipërisë me Malin e Zi, bregdetin Dalmat e më gjërë. E vendosur në nyjën hidrografike Liqeni i Shkodrës, lumi i Bunës -lumi i Drinit, në veriperëndim të Shqipërisë, vetëm 32 km larg deti Adriatik dhe në afërsi të Alpeve Perëndimore, ekosistemi urban Shkodrës ka tipare unikale, gjeoekonomike, gjeopolitike dhe vlera polivalente për lëvizjet turistike. Pozita gjeografike ka favorizuar ngritjen e zhvillimin e kësaj qendre urbane 2400 vjet më parë, me një dinamikë dhe vashdimësi të jetës qytetare në të gjitha periudhat historike. Edhe emri i qytetit sipas shpjegimeve etimologjike që jep Prof. Eqrem Çabej përcakton vendosjen gjeografike të qytetit pranë Drinit ose më saktë aty ku shkon Drini. Kështu emri Shkodër paraqet një kompozité “Shko-Drin” e mbetet nga emrat që vërtetojnë autoktoninë shqiptare në viset që banohen nga lashtësia. Shumë autorë të huaj e kanë vlerësuar dhe e kanë reklamuar pozitën gjeografike e natyrën e bukur të Shkodrës. Studiuesi i njohur Gjerman Johan Georg Van Hahn thotë se “Kjo pikë (Shkodra) ofron një pamje të përgjithshme, pasurinë e të cilës nuk di ta krahasojë me një tjetër”. Duke përshkruar Shkodrën me tej ai shton: “Panorama këtu do t’i bashkojë të gjitha bukuritë që ofron natyra, ku karakteri kontinental do të ndodhej kaq pranë me detin”. Një vështrim i shkurtër përreth do të tregojë se Kodra e Kalase përbën çelësin e të gjithë zonës. “Asnjë pikë tjetër nuk qe e përshtatshme për ndërtimin e saj dhe të parët e dinin mirë këtë. Në shekujt e kaluar, Shkodra ka qenë port mbi lumin e lundrueshëm të Bunës dhe liqenin e përbashkët me Malin e Zi, e në qytetin vinin anije nga vendet e bregdetit Dalmat, Italia, Afrika Veriore, ishujt e Egjeut, Turqia dhe disa vende të Atlantikut Verior, duke e bërë atë nyje të rëndësishme tregtare për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Deri në shpalljen e pavarësisë, në saj të pozitës gjeografike të përshtatshme dhe të nivelit të zhvillimit ekonomiko-tregtar Shkodra njihej ngado si kryeqyteti politik, ekonomik e kulturor i Shqipërisë me një popullim prej rreth 40 000 banorësh, në një kohë që Tirana kishte 3000 banorë, Korça 6000. Vlora 5000, Janina 28 000 dhe Beogradi 15 000 banorë. Me hapjen e Kanalit të Suezit me 1869 dhe ndërtimin e hekurudhës Mitrovicë-Selanik në vitin 1874 pozita gjeografike e Shkodrës e humbi rëndësinë e saj të mëparshme. Si dhe në portet e tjera të rajonit të Mesdheut mallrat që lëviznin në Gibraltar ndërruan drejtim e u orientuan drejt Suezit. Lëvizja e mallrave nëpërmjet transportit hekurudhor, i cili është më i shpejtë dhe më i sigurt aneksoi rrugën klasike drejt tregut të Shkodrës. Gjatë Luftës së Parë Botërore Perandoria Austro-Hungareze kishte vendosur të konkretizonte projektin e hekurudhës Shëngjin Ferizaj, e mbetur pezull që më 1872, e që do të rimëkëmte autoritetin e tronditur të tregut të Shkodrës. Për shtetet e Evropës Qendrore ishte më e leverdisshme dhe e arsyeshme shkarkimi në det nëpërmjet portit mé të afërt të Shëngjinit, sesa në Selanik në jug të Ballkanit. Për fat të keq kjo sipërmarrje nuk u krye. Sapo u mbaruan piketimet e trasesë, në vitin 1918 perandoria Austro-Hungareze kapitulloi. Afro 70-vjet më vonë u arrit të ndërtohet rruga hekurudhore meridionale Tiranë- Shkodër-Han i Hotit duke e lidhur Shqipërinë (nëpërmjet Shkodrës) me magjistralin hekurudhor paneuropian dhe tregjet e vendeve të Evropës.
Mbyllja hermetike e Shqipërisë nga Evropa e Bota ně vitet 1944-1992 nuk e vunë në efiçencë këtë hekurudhë e në përgjithësi qyteti u rënua ekonomikisht.
Vitet e fundit është përcaktuar strategjia e zhvillimit të turizmit dhe në ofertën e rajonalizuar turistike të Shqipërisë, Shkodra do t’i japë përparësi biznesit, transportit e turizmit. Në këto kushte shtrohet si domosdoshmëri vënia në efiçencë të plotë e potencialit gjeo ekonomik dhe turistik që mbarte pozita gjeografike e këtij ekosistemi urban. Nga i gjithë bregdeti lindor i Adriatikut portet shqiptare gjenden në vendkalimin më të shkurtër të këtij deti për në Ballkan e më tej. Ripërtëritja e rrugës lumore të Bunës drejt Adriatikut rreth 44 km dhe aktivizimi i korridorit ujor deti Adriatik – lumi Buna – liqeni i Shkodrës do të nxisnin biznesin e transportit në hapësirën urbane të Shkodrës e më gjerë, si edhe lëvizjen turistike tranzite. Bashkimi i portit intraterritorial të Shkodrës me hekurudhen e ardhshme, Shkodër- Gjakovë , ndërtimi i Koridorit të Kaltër, autostradës Trieste- Shkodër-Patras, ndërtimi i Korridorit të Tetë lindje – perëndim etj., i siguron vendeve të Evropës Qendrore daljen më të afërt në det dhe shkurton në maksimum hapësirën tokësore të kufizuar brenda “Sifonit ujor” që lidh Durrësin me Stambollin. Kjo është arsyeja që strategjia e rimëkëmbjes ekonomike dhe e zhvillimit në hapësirën urbane të Shkodrës e më gjerë duhet të fillojë nga shfrytëzimi i potencialit të pozitës gjeografike e ndërtimit të këtyre rrugëve.
Trashëgimia materiale Etno-Kulturore
Në bilancin e pasurive turistike të hapësirës urbane të Shkodrës një vend të veçantë zënë faktologjia e ambienteve antropogjene si: pamja e përgjithshme e qytetit, Kalaja Rozafat e monumentet e kulturës, objektet e kultit, parqet dhe sipërfaqet e gjelbërta, terrenet sportive, ambientet e argëtimit, shërbimet hotelike etj. Shkodra është një nga qytetet e lashta të Shqipërisë dhe një ndër subjektet më të rëndësishme në historinë e zhvillimit ekonomiko-shoqëror e kulturor të vendit. Kërkimet paleo-antropologjike të viteve ’80 vërtetojnë praninë e njeriut që nga epoka e paleolitit të mesëm. Këtë e dëshmojnë objektet e kulturës materiale prej guri e kocke (fosilet) të gjetura në shpellën e Gajtanit, në afërsi të Shkodrës, të cilat janë të shumta. Shpella është eksploruar, që në fillim të shek. XX-të nga arkeologu i parë shqiptar Shtjefën Gjeçovi. Shpella e Gajtanit e ndodhur në periferi të hapësirës urbane të Shkodrës, ka vlera të mëdha shkencore, kulturore e turistike. Mirëmbajtja e kësaj shpelle, improvizimi i një muzeumi natyror pranë saj dhe vendosja e “industries” së Gajtanit në eksponatet e tij, do ta njësonte ofertën turistike të këtij vendbanimi prehistorik me rëndësi kombëtare, me shpellën turistike të Petralonës në Greqi. Taibakut në Gjermani e Gargonës në Francë. Të dhënat arkeologjike vërtetojnë vazhdimësinë e jetës qytetare të Shkodrës nga epoka e neolitit për të vazhduar jetën e pandërprerë në të gjitha periudhat historike. Gjurmë të kësaj historie brilante vërehen në pamjen e sotme të qytetit ku ruhen 90 monumente kulture, të cilat i japin tiparet e veçanta karakteristike këtij qyteti. Objekti më i rëndësishëm monumental është Kalaja “Rozafa”, një monument impozant i ngritur në skajin perëndimor të kodrave të Tepes në një lartësi 120-130 m mbi nivelin e detit. Kalaja dominon hapësirën e rajonit e Shkodrës në tërësi, ku horizonti shpalos një peizazh mjaft të harmonizuar e mozaik, ku dominon Ultësira Shkodrane e pasqyra e liqenit të Shkodrës, e në kontrast me to horizonti këputet me barrierën madhështore të Alpeve në lindje të Kalasë. Plani i vendosjes së kalasë ka afërsisht formën e një elipsi të çrregullt në gjatësinë prej 881 m dhe me një sip. prej 3.5 ha. Në muret e saj janë vendosur 9 kulla mbrojtëse me lartësi 15 m. Objektet më të rëndësishme monumentale, që mund të vizitohen sot në kështjellë janë: Barbakani, një sistem parambrojtës që ndodhet mbas hyrjes kryesore, i ndërtuar sipas një projekti venecian rreth viteve 1407-1417, Kulla e Komandës në formë poligonale, datën e ndërtimit të së cilës Barleti e jep në vitin 1468; Kisha e Shën Shtjefnit, objekt kulti i ndërtuar nga fundi i shek. XVIII: kapiteneria, ndërtesë 3- katëshe e veshur me gurë të latuar e ndërtuar nga fillimi i shek.XV.. si dhe mjaft objekte të tjera. Në përgjithësi Kalaja është monumenti më i vizituar i qytetit, veçanërisht nga të huajt. Për të njohur me objekte të kulturës materiale turistët mund të vizitojnë Muzeun e Kalasë, i cili është funksional. Në lagjen mesjetare të tabakëve, rrëzë Kalasë së Shkodrës dhe pranë brigjeve të lumit Kir ngrihet Xhamia e Plumbit. Eshtë ndërtuar në vitin 1774 prej familjes së Bushatllinjve sipas arkitekturës së Xhamisë së Stambollit. Qendrën e kompozimit e bën salla e faljeve që ka përmasa 9.15 m me 9.15m e mbuluar me një kupolë mbi një tamburo të larë. Ajo ka dhe 10 kupola të vogla, të veshura me plumb. Në vitin 1858 filloi të ndërtohej Kisha katedrale e quajtur ndryshe “Kisha e Madhe. Muret e kësaj kishe ishin të zbukuruara me afreske me vlera të mëdha artistike të punuara nga piktorët e shquar shkodranë si Idromeno, Rrota etj. Pas dëmtimeve të afreskut dhe kthimit në pallat sporti nga shteti totalitar, sot kjo kishë është rikonstruktuar. Ajo ruan vlerat e vizitës historike të të parit Papë që vizitoi Shkodrën, Papa Vojtilės. Në pjesën qendrore të qytetit shtrihet rruga muze “KOL IDROMENO”, (Pedonalja), e gjatë afro 1 km. e shtruar e gjitha me gur dekorativ. Ajo është projektuar nga arqitekti e piktori i njohur Kol Idromeno. Projektuesi ka trajtuar me afeksion të veçantë fasadën e banesave, ku dallohen detaje të shumta të arqitekturës veneciane, duke krijuar një ansambël dekoracionesh të harmonizuar me rrugën kryesore të qytetit. Pedonalia lidh qëndrën e qytetit me Muzeun Historik “Oso Kuka”. Në krah të saj gjëndet Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, i cili mban koleksionin më të famshëm të fotografisë shqiptare. Një atraksion tjetër turistik i projektuar nga arqitekti dhe piktori Kol Idromeno është edhe Pedonalia, nga truma e Dugajve të Reja në drejtim Gjuhaldolit e Sarreqit deri te Kisha e Madhe. Kjo rrugë muzeale është e shtruar me gurë dekorativë dhe e qarkuar nga ndërtesa dekorative me vlera muzeale, si shtëpia ku ka jetuar Kol Idromeno, ku dhe u zhvillua çfaqja e parë kinematografike në Shqipëri, shtëpia muze e Luigj Gurakuqit, e tjerë. Në Shkodër ndodhen edhe Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, Shtëpia muze e Ndre Mjedës, Muzeu i Dioqezës Shkodër –Pult, e tjerë. Në 30 vitet e fundit është zbuluar muri antik rrethues i qytetit, një vepër masive fortifikuese me gjatësi 300 m (pjesa e zbuluar) i ndërtuar në shek. IV-VI pas Krishtit nga Perandori Ilir i Bizantit, Justinjani. Muri përbën një vepër monumentale me vlerë të veçantë, zbulimi i plotë i të cilit do të krijojë një fizionomi më të saktë dhe të plotë të shtrirjes së qytetit në këtë periudhë. Rreth 6 km nga qyteti ndodhet një monument i shek. XVIII Ura e Mesit, e ndërtuar kryesisht me harqe prej guri dhe e gjatë 132 m. Poshtë saj kalon Lumi i rrëmbyer i Kirit, ujrat e kristalta të të cilit lejojnë të shohësh nga lart tufat e troftës tek lëvizin në rrjetë. Në tërësi lagjet e vjetra të qytetit të sotëm me ndërtesat dhe rrugicat karakteristike shkodrane, mbartin vlera arkitektonike. traditën dhe kulturën e jetesës të banorëve të tij, që i rrisin ofertën turistike ekosistemit urban të Shkodrës. Vetëm 5 km. në perëndim të qytetit, në brigjet e liqenit të Shkodrës shtrihet zona turistike e Shirokës, një nga lagjet më të veçanta të Kryeqëndrës Veriore. Pedonalja e Re, e shtruar me mozaikun e qilimit, sipas identitetit kulturor të zonës me tradita artizanale, i jep Shirokës një pamje magjepsëse. Kriteret mbi të cilat duhet të bazohet vlerësimi turistik i ekosistemit urban të Shkodrës përfshin dhe mjaft dukuri dhe aspekte të tjera të rëndësishme si gjendja e shërbimeve hoteliere, pajisja dhe mobilimi i tyre, kultura e shërbimit dhe niveli i shërbimit në bare dhe restorante, gastronomia karakteristike, prodhimet tradicionale të artizanatit, gjendja e përgjithshme e infrastrukturës, ngarkesa me automjete, gjendja e rrugëve, ngarkesa me zhurma dhe ndotja e mjedisit, gjendja e vendeve të parkimit etj.
Distrikti i industrisë së turizmit
Krahas vlerave të ekosistemit urban Rajoni i Shkodrës është mjaft i pasur me resurse ekoturisike (gjeomonumente, hidromonumente, biodiversitet të pasur etj. ) dhe etnokulturore, që përbëjnë ofertën për dinamikën e zhvillimit dhe organizimit të turizmit në një DISTRIKT INDUSTRIAL sipas modelit e skemave të njohur Masshalljane e të aplikuar në mjaft vënde të Europës.
Bashkia e Shkodrës me një potensial të madh të ofertës turistike nga Velipoja e deri në Theth e Shalë, e më gjërë Qarku i Shokodrës, për të shfrytëzuar me efikasitet resurset natyrore dhe humane mund dhe duhet të projektojnë e organizojnë zhvillimin e turizmit sipas skemës të njohura hapsinore dhe sektoriale të organizimit të“Distriktit Industrial”. Distrikti duhet të ketë dimensionin konvergjentë, anësor dhe diagonal. Në këtë “Distrikt” mund dhe duhet të integrohen edhe lokalitetet turistike të Malësisë së Madhe e Qarkut të Shkodrës në tërësi si: Vermoshi, Lëpusha, Razma, Boga, Reci, Syri i Sheganit në brigjet e Liqenit të Shkodrës, etj. Zhvillimi “vertikal unikal” duke shfrytëzuar resurset deri në konsumin e produktit turistik, i integruar e harmonizuar me agroturizmin, infrastrukturën e transportit dhe shërbimet do të ndikojë fuqimisht në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë në këtë gjeohapësirë.