Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, i cili konsiderohet si njeriu “VIP” më i kërkura nga policia dhe drejtësia shqiptare, duket se po shkon drejt azilit politik në vendin ku ndodhet, pasi u arratis si hajdut ordiner edhe pse në Shqipëri akuzohet se është përfshirë në megaaferën korruptive të “inceneratorëve”, duke përlarë miliona euro. Ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj është rasti i vetëm që një deputet për të cilin u kërkua arrestimi nuk ndodhet në Shqipëri.
Prej disa muaj ai është larguar nga vendi për t’i shpëtuar arrestimit. Dyshimet janë se ai ndodhet në një vend në Bashkimin Evropian si Zvicra, teksa burimet i thanë gazetës “SOT” se ai ka nisur të hapë letrat, duke pranuar që në këmbim të statusit të azilantit politik, të flasë, duke zbërthyer me fakte korrupsionin e qeverive “Rama 1 dhe 2”, pjesë ë së cilave ka qenë edhe vetë. Mësohet se ai ka dhënë garanci se do të vërë në dispozicion të autoriteteve ku ndodhet të gjitha provat për korrupsionin, pastrimin e parave dhe bashkëpunimin që pushtetarët kanë me njeri-tjetrin në Shqipëri, apo me politikanë, personazhe të botës së krimit dhe biznesmenë të fuqishme.
Megjithatë mbetet të shihet nëse vartësi i Ramës, Arben Ahmetaj do ta fitojë azilin politik në vendin ku dyshohet se ndodhet pasi u arratis nga Shqipëria nga frika e prangave të SPAK. Ndërkohë të tjerë zëra bëjnë me dije se ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj mund të jetë duke u strehuar edhe në vende si Kanadaja, Britania e Madhe, Rumania apo Dubai, Maroku dhe Jordania. Por të gjithat këto janë aludime dhe mbetet të shihen nëse janë të vërtetat.
Paralajmërimi
Sidoqoftë paralajmërimin për azil e ka bërë edhe vetë Arben Ahmetaj gjatë kohës që ishte në Shqipëri dhe ende nuk i ishte prerë fletë-arresti nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në shkurt të këtij viti Ahmetaj e përdori kryeministrin Edi Rama për t’i siguruar vetes azil politik në Britani apo vendet e Bashkimit Evropian. Asokohe dhe në kushtet kur ish-numri dy i qeverisë pa që po shtrëngohej rrethi dhe ishte evidente që do të shkonte para drejtësisë për çështjen e inceneratorëve, ai u tregua shumë finok.
Ahmetaj e provokoi kryeministrin Rama me disa mesazhe gjatë një dalje televizive, për të marrë një përgjigje publike prej tij, e cila do ta ndihmonte në momentin e fundit kur të merrte arratinë. Pas mesazheve dhe thirrjes për debat publik, Rama e “hëngri karremin” duke u përgjigjur se “po të isha unë gjyqtari gjërat do të rridhnin ndryshe”, deklaratë që përballë drejtësisë në vendet ku Ahmetaj mund të kërkojë azil, provojnë se çështja ndaj tij është politike.
Shfajësimi
Por nga ana tjetër, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar disa herë nga arratia mbi kërkesën e SPAK për ta arrestuar. Ai është jashtë vendit dhe ka reaguar në disa media, duke kundërshtuar pretendimet e prokurorisë. Ahmetaj shprehet se mesazhet që ka rikuperuar SPAK janë të shumë viteve më përpara. Nga ana tjetër ish-ministri i Financave konfirmoi se nuk ka ndërmend të dorëzohet përballë drejtësisë. Madje ai ka mohuar çdo akuzë që është ngritur ndaj tij, duke thënë se të gjitha të dhënat që kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK, janë të pa vërteta.
“Do dal kur ju të lexoni dosjen. Do dal kur ju të tregoni që akuzohem se kam pas njohje e shoqëri me një njeri që në atë kohë ka qenë njeri normal dhe në punët e veta. Do dal kur të lexoni që akuzohem për korrupsion se ish-gruaja ime ka shitur metra katrorë në treg të lirë. Do dal kur të kuptohet që bashkëjetuesja ime dhe familja e saj ka blerë me transaksion të pastër bankar një pronë. Do dal kur të kuptoni, lexoni dhe faktoni se Klodian Zoto s’ka qenë kurrë po kurrë pronar i asaj prone që të ishte në gjendje që ta falte apo dhuronte. Do dal kur të lexoni gjithë letrat e mia në favor të interesit publik si ato që shyqyr që dolën sot. Do dal kur e vërteta të ketë marrë rrugë. Do dal kur ju të bëni pyetje të vërtetë se ku ka favorizuar Arben Ahmetaj. Do dal kur ta kuptoni që s’kam pas lidhje me procedurën. Atëherë do dal. Do dal kur të lexoni se ato biseda të 2012 janë komplet impotente në aspektin e lobimit apo favorizimit, aq më tepër në opozitë”, deklaroi Ahmetaj pak javë më parë. Kujtojmë se ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj është nën akuzë për shpërdorim detyre, korrupsion e pastrim parash lidhur edhe me aferën inceneratorëve.