Ka disa kohë tashmë që po investohet për Adriatik Lapaj. Për ata të paktë që mbase nuk kanë dëgjuar për të, premton të nisë një rrugëtim ndryshe në politikë, me qytetarët, për qytetarët e të tjera që në fakt këto 33 vjet na kanë mërzitur…kokën dhe jo vetëm.
Nuk është hera e parë dhe me shumë gjasa, as e fundit, që do të ndërmerret një nismë e tillë. “Shqipëria Bëhet” duket se do të jetë emri i parti- lëvizjes së Lapajt, teksa në këtë hapësirë ku jetojnë një pjesë e madhe e shqiptarëve, shprehja më e famshme është “ky vend nuk bëhet”.
Për Adriatik Lapaj është investuar nga “dyer të mëdha” të selive diplomatike në këtë vend. Në turin e tij thuajse në të gjitha qytetet e rëndësishme të vendit, pjesë e atyre pak shoqëruesve ishin edhe njerëz të afërt të diplomatëve që kanë shënjuar e do të shënjojnë fatet e Shqipërisë edhe për shumë kohë.
Adriatik Lapaj ka premtuar se në parti- lëvizjen e tij do të thithen persona të papërfshirë në politikë. Edhe pse nuk është ide e re, pyetja normale është: Ky do ti gjejë ata persona!? Në Shqipëri është e vështirë.
Ai ka lënë të kuptohet se organizimi i subjektit të tij do të jetë në baza vullnetare, pak a shumë në stilin amerikan, me anëtarë e simpatizantë që aktivizohen në fushata elektorale apo kur ka nevojë parti- lëvizja.
“Pushteti do të burojë nga populli”, siguron parimin e funksionimit Lapaj, duke kujtuar se do të votohen të gjithë kandidatët për çdo pozicion, brenda apo jashtë lëvizjes apo partisë së tij. Madje, edhe paratë për të mbajtur subjektin, do të sigurohen nga “zemërgjerësia” e popullit.
Nisja e turit të prezantimit të partisë- lëvizje nga Rrësheni, është një tjetër risi që paralajmëron Lapaj. Vështirë të mendohet se ai ka idenë e këtij qyteti si kryeqytet të ardhshëm të Shqipërisë (!?) apo edhe si kryeqendër e asaj që konsiderohet si krahina më pak e prekur nga pushtuesit ndër shekuj, Mirdita.
Në këtë vend që përherë e më shumë po braktiset si i pajetueshëm, sidomos nga ata që janë nën 30 vjeç (të lindur në “epokën” e demokracisë), është e vështirë të mbizotërojë optimizmi apo shpresa si frymë. Megjithatë, askush nuk ka të drejtë të paragjykojë apo të paramendojë dështimin e një parti- lëvizje akoma pa nisur.
Për 45 vite, Shqipëria ishte një eksperiment i ideuar në Konferencën e Jaltës. Të paktën, kështu rezulton në dritën e zbehtë të ajsbergut që sapo kanisur të nxjerrë kokën mbi ujë nga 1990- a e këtej. Një eksperiment që duket se po vazhdon edhe pas këtij viti, me ngjarje që në një shtet që nuk është zyrtarisht në luftë me adkëns, nuk janë normale. Një eksperiment më shumë a më pak, nuk bën diferencën për jetën e shqiptarëve e natyrisht, as këtë vend me një gjuhë ndër më të vjetrat e Europës.
Akoma pa dhënë shumë detaje në emër të trasnaperncës, po flitet për seli të kësaj parti- lëvizje në qendër të Tiranës por edhe në disa qytete shumë shpejt. Një subjekt që mesa duket nuk e ka problem “punën e parave”, edhe pse parti parlamentare dhe me financim nga shteti, nga 1990- a e këtej, ankohen për mungesën e selive.
E për ta mbyllur, natyrisht që është e udhës ti urojmë suksese edhe Adriatik Lapajt. Edhe pse e vështirë, çdo nismë në emër të së mirës, të parimeve morale, të një shembulli ndryshe, duhet përshendetur. Edhe pse në fakt, Lapaj nuk e ka për herë të parë. Të paktën tek Aleanca Kuqezi, publikisht, ai ka qenë ndër figurat kryesore, të radhës së parë. Madje është krenar për këtë fakt. Shkurt, as Lapaj nuk vjen nga jashtë sistemit që kemi nisur të ndërtojmë në dhjetor 1990. A ia ka treguar apo ia ka mbajtur të fshehtë këtë detaj “investirorëve” të tij Lapaj?! /Nga Blerti DELIJA/