Si rezultat i punës intensive hetimore, të kryer nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmë, rreth orës 21:48, në fshatin Hot i Ri, ku për shkak të një konflikti të çastit, u vra me armë zjarri kallashnikov, shtetasi Valter Fierza, është bërë e mundur zbardhja e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimi i shtetasve të përfshirë në të.
Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit Klodian Mehilli, 24 vjeç, Aleksandër Mhilli, 23 vjeç, Paulo Mhilli, 22 vjeç dhe Luçiano Mhilli, 20 vjeç, të gjithë banues në fshatin Hot i Ri, si dhe shtetasi Enton Dushaj, 38 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta 5 shtetas janë përfshirë në një konflikt të çastit, për motive të dobëta, jashtë një lokali në fshatin Hot i Ri, me vëllanë e 33-vjeçarit, shtetasin Klodian Fierza, 35 vjeç. Pas konfliktit, drejt vendit të ngjarjes është afruar me automjet, shtetasi Valter Fierza Sapo ka parë automjetin, shtetasi Klodian Mehilli dyshohet se ka qëlluar disa herë, me armë zjarri kallashnikov, në drejtim të 33-vjeçarit, i cili për pasojë, mbeti i vrarë.
Policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë (dyshohet në posedim të shtetasit Klodian Mehilli) dhe 3 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje.
Vijojnë kërkimet intensive për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për gjetjen e armës me të cilën është kryer vrasja, si dhe vijojnë hetimet e thelluara për të individualizuar përgjegjësinë penale për këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjyakatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.