Humbja me përmbysje ndaj Laçit “djeg” ende në kampin shkodran. Vllaznia e nisi me gol, por në fund nuk mori asnjë pikë dhe natyrisht kjo duket e pafalshme për një skuadër që pretendon të jetë në majën e renditjes.
Ishte humbja e parë në këtë kampionat dhe stafi teknik me në krye trajnerin Migen Memelli kanë menduar që t’i bëjnë një analizë të detajuar momenteve ku gaboi skuadra. Stafi teknik ka kërkuar llogari nga lojtarët për humbjen e përqendrimit në fundin e pjesës së parë dhe mungesën e reagimit në 45 minutat e dyta.
Mirëpo, “Panorama Sport” zbulon nga burime pranë skuadrës se kritikat e trajnerit nuk kanë gjetur miratimin e të gjithë lojtarëve titullarë. Mësohet se pikërisht kapiteni dhe njëkohësisht sulmuesi kryesor i skuadrës, Bekim Balaj, gjatë diskutimit në analizë me trajnerin, i kërkoi në një farë mënyre edhe “llogari” këtij të fundit për strategjinë që ndoqi në momentin kur Vllaznia ishte në avantazh.
“Pas shënimit të golit mendoj se nuk duhet të tërhiqeshim në mbrojtje dhe të ruanim rezultatin. Kjo nuk na shkon përshtat, pasi i dhamë më shumë hapësira kundërshtarit. Ekipi e ka më të vështirë për të bërë një gjë të tillë”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera Balaj gjatë diskutimit me trajnerin. Nga ana e tij, Memelli ka kërkuar të “testojë” grupin, duke kërkuar arsyet e gabimeve që sollën këtë humbje. Ai i bëri një analizë të hollësishme asaj që ndodhi dhe çfarë kërkohet që të rregullohet për takimin e radhës me Teutën. Koha nuk pret dhe Vllaznia zbret sërish në fushë, pasi ndaj durrsakëve luhet të shtunën ora 20:15 në “Loro Boriçi”.