Kohët e fundit, jeta e përditshme po na servir një realitet, të cilin po ta shohësh në të gjitha dimensionet e prek individin në aspekte të rëndësishme të jetës, duke e bërë kështu të ndjeshëm ndaj disa fenomeneve, e më pak ndaj disa tjerave. Politikat ekonomike, sociale dhe kulturore zënë një vend të konsiderueshëm në këto probleme që secili nga ne po takon, gjë që e bën më të vështirë të shohim se cfare po ndodh më afër nesh, në shoqërinë apo familjen tonë.
Ditët e fundit, vëmëndja është përqëndruar, përpos të tjerash, në fenomenin e përdorimit të disa substancave, të cilat në legjislacion nuk konsiderohen drogëra të mirëfillta, por mund të themi që janë substanca të dëmshme , të cilat keqpërdorimi apo mbipërdorimi i tyre sjell efekte të dëmshme në organizëm. Po flasim për disa video që kohët e fundit janë bërë virale, të disa të rinjve duke përdorur të ashtuquajtura ’’Tullumbacet me azot’’, të cilat në përbërje të tyre kanë oksid azoti, një substancë e cila ne fushën mjekësore përdoret kryesisht në stomatologji dhe kirurgji si anestezik apo edhe analgjezik ( heqës i dhimbjes) .
Kur thithet oksid azoti, ai zhvendos ajrin në mushkëri dhe parandalon që oksigjeni të arrijë trurin dhe gjakun. Si rezultat i këtij privimi të oksigjenit, shtohet niveli i të qeshurave. Oksidi I azotit mund të japë shtrëngim në gjoks, irritim të syve, fytit dhe hundës, vështirësi në frymëmarrje , halucinacione ose psikoza, mbytje, nuancë blu në gishtat e këmbëve, buzëve ose gishtavet, rritjen e presionit të gjakut dhe rrezikun e sulmit në zemër ose goditje në tru, konvulsione, rritje të rrahjeve të zemrës nëse kalohet në overdozë.
Substanca të tjera të dëmshme po qarkullojnë në rrugët dhe lokalet e vendit tonë, të pakontrolluara dhe më e keqja, po përdoren nga mosha minorene të cilët thjesht ecin në trendet e fundit të rrjeteve sociale. Bëhet fjalë për ketaminat apo substancat e tjera fluide të cilat serviren në lokale, madje edhe kunddrejt një fature të caktuar.
Ketamina përdoret nga mjekët dhe veterinerët si anestezik. Ketamina vepron në kimikate të ndryshme në tru për të prodhuar shtrembërim vizual dhe dëgjimor, dhe një shkëputje nga realiteti. Abuzimi i ketaminës mund të lidhet me probleme afatshkurtra dhe afatgjata që përfshijnë, probleme me vëmendjen, me të mësuarit dhe kujtesën, krijon halucinacione dhe konfuzion, humbje të kujtesës, dhe shkakton presion të rritur të gjakut. Ajo mund të shoqërohet me pavetëdije, frymëmarrje të ngadalësuar në mënyrë të rrezikshme. Sëmundjet që mund të shkaktojë në kohë afatgjata mund të jenë ulçera,probleme me veshkat, dhimbje stomaku dhe depresion.
Në kushtet në të cilat ndodhemi, ku këto substanca jo vetëm po gjejnë përdorim, por edhe po krijojnë nje treg të ri duhet t’iu kushtohet një vëmendje më e madhe kontrolli nga instancat perkatëse, të vijohet me fushata ndërgjegjësuese ne institucionet e arsimit parauniversitar për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes në masë.
Këto trende të momentit, të joshura nga rrjetet sociale, përbëjnë një shkallë të lartë rrezikshmërie për shëndetin e të rinjve. Secili nga ne duhet të reagojë dhe të ndërgjegjësohet në mënyrë që të evitojmë probleme shëndetësore, ndonjëherë , fatale dhe të lobojmë për një jetë të shëndetshme. /Nga Migena LIKA/