Krahas angazhimit maksimal për t’iu ofruar shërbim korrekt, me etikë dhe të shpejtë, qytetarëve në hyrje/dalje, shërbimet e Policisë Kufitare të Muriqanit vijojnë intensivisht punën, për konstatimin dhe goditjen e krimeve kufitare. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shkodrës, u finalizua operacioni policor i koduar “Directions”.
Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit R. A., 36 vjeç, banues në Shijak dhe S. F., 54 vjeç, banues në Elbasan, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. C., 53 vjeç, banues në Elbasan dhe K. M., 56 vjeç, banues në Mamurras.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, ushtruan kontrolle të imtësishme, në vijë të dytë, në autobusin në pronësi të 36-vjeçarit (me drejtues shtetasin S. F. dhe me drejtues alternativë shtetasit A. C. dhe K. M.). Nga kontrollet, në një çantë të fshehur në kroskotin e autobusit, u gjetën 82 010 euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale, të cilat do të futeshin në vendin tonë, pa u deklaruar.
Operacioni, rezultat i vigjilencës së shtuar të shërbimeve të DVKM Shkodër, për të ushtruar kontrolle të imtësishme në një autobus ku në muajin shkurt të këtij viti, Policia gjeti 48 100 euro të cilat një 35-vjeçar i arrestuar, tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar.
Paratë u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.