Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, si rezultat i kontrolleve në hapësirën liqenore, për parandalimin dhe goditjen e rasteve të peshkimit me mjete të ndaluara, kanë konstatuar në vendin e quajtur “Zalli i Kosanit”, një mjet lundrues në të cilin ndodheshin 2 shtetas që po peshkonin me mekanizma që furnizoheshin me energji elektrike, të cilët janë të ndaluar për shkak të rrezikut që kanë.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetasit, konkretisht E. Sh., 45 vjeç dhe A. M., 36 vjeç, të dy banues në fshatin Aliaj, Malësi e Madhe, për veprën pënale “Peshkimi i ndaluar”.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti lundrues dhe mekanizmat elektrikë që përdoreshin për peshkim.