Kam menduar gjithmonë se kam qenë njeri i lirë. Mendoja se isha i lirë edhe mes telave të burgut. Në të vërtetë nuk paskam qënë kurrë i tillë. Nuk i kisha parë kurrë kufijtë që kufizonin lirinë time. As kisha ndjerë peshën e rëndë të këtyre kufijve. Paskan qënë gjithmonë pjesë e imja, ashtu siç janë sytë, apo dora e këmba; gjendje natyrale e qënies. Gjë e cila të shtyn të mos mendosh për to.
U desh Gaz Bardhi dhe takëmi tij që të kuptoja se nuk jam i lirë. Mbeta pa fjalë përballë lirisë së tyre që nuk njeh kufij. Liri gjithpërfshirëse kjo, që anulon çdo limit. Qofshin ata identitarë, politik apo moral. Liria e tyre është aq e madhe, sa do të ishte universale po të mos kufizohesh vetëm nga një instikt, ai i konservimit të species.
Përballë lirisë së tyre pa horizont, e pa një pikë referimi, kuptova se jam i destinuar të vdes i burgosur. Jo brënda telash me gjëmba fizikë, por brenda ca kufijve të padukshëm por të rëndë. Kufij të trashëguar, e një pjesë të ndërtuar nga gjykimi, eksperienca e identiteti. Kufij të lindur nga ajo çka jam, e të shumëfishuar nga ajo çka s’ dua të jem. Kufij që përbuzin lirinë e skllavit që shkon në pafundësinë e interesit.
Përballë lirisë pa fund të hiçit, kam zgjedhur e do të zgjedh gjithmonë robërinë e identitetit, prangat e moralit e burgun e vetëdijes. /Nga Gjergj HANI, publikuar në Facebook/