Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!
Këto vargje- monument të Ali Asllanit më erdhën në mendje teksa në një tavolinë me miq, po dëgjoja “bëmat” e pabëra të disa të njohurve të mi. Të njohur nga ata, që për një kafe në një lokal jo luksoz, iu dridhet apo dridhej dora. Nga ata, që me firma dhe me vula, spostonin qindra milionë lekë, pse jo edhe dollarë nga paratë tona që na i marrin me një mënyrë apo tjetër, ligjore ose abuzive, nga kontributi ynë për të përgjithshem, taksat e tatimet.
Iu janë turrur kryesisht zonave turistike, nga Alpet deri në bregdet, nga brigjet e liqeneve artificiale deri në Shirokë e Zogaj. Kjo, për pjesën e dukshme, e cila faktikisht, nuk rezulton e regjistruar në emrat e këtyre VIP- ave apo ish- VIP- ave me akses të pamatë në pushtet, në të gjitha nivelet e tij. Ndërtesa të reja, të rrënuara si të vjetra dhe të ringritura në shumë raste edhe me kate shtesë, edhe në zonat më të lakmuara të qytetit të lashtë, i cili prej vitesh lëngën nën thundrrën e “zengjinëve të rinj” që nuk pyesin për asgjë, as edhe për shtetin pavarësisht ngjyrave të 4- vjeçarëve.
Në jo pak raste, në zona turistike e zona të mbrojtura, ndërtime që zaptojnë dhjetra dynym, ngrihen pa patur asnjë letër, as nga qeverisja e vogël dhe as nga ajo e madhja. Shiten apo lëshohen me qira, me shuma të kripura, të ardhura që më pas, kretësisht të pastra, futen në banka, duke justifikuar miliona- miliardat e “zengjinëve të rinj”, atyre që askush, deri tani, nuk u ka thënë “puna e mbarë”.
Popullit i hedhin mel, mel politik. Në formën e dromcave që nuk mjaftojnë as për të mbajtur frymën gjallë, as për të shkuar në mitingje, tubime e takime. U flasin me fjalë të mëdha, në emër vlerash e parimesh, flasin për demokraci e demokraturë, për ligj e antiligj, për komunizëm, socializëm e antikomunizëm. Ne, populli, vazhdojmë tu besojmë, ti ngrejmë mbi supe, ti ngjisim në pushtet, duke u dhënë vula e duke u mbivlerësuar firmat, pikërisht atyre, që as emrat e tyre nuk i shkruajnë dy herë njëlloj. E asnjrei prej tyre, nuk konsiderohen kriminelë, të kanë vrarë, plagosur, pengmarrë apo grabitur askënd. Janë nga ata me kollare, me bluza e këshima të shtrenjta, me vlerën minimale të një pensioni minimal për të mbajtur frymën gjallë. Sigurisht, kanë mbrojtje, kanë mbrojtje pikërisht “botën e errët”, me të cilën bashkëpunojnë haptas apo në terr.
E tash, pas 33 viteve, ata që mbase nuk kishin lindur në 1990- ën apo nuk kishin nisur të belbëzonin tinguj akoma nga goja, pa vënë asnjë firmë në bordero përveç atyre që pushteteve, janë milionerë e pronarë të pakufijshëm. Zgjedhin me sy mbyllur mbi një glob që u sillet para syve, ku duan të kalojnë pushimet. E çdo gjë me paratë tona, me taksa, tatime por edhe fonde të ndërkombëtarëve që i sjellin për qytetarët dhe jo për ata që i keqqeverisin apo i keqqeverisën.
Nëse nuk kanë nisur akoma, pas pak viteve, pikërisht këta “zenegjinë të rinj”, të pasuruar në shkelje të ligjit, do të na blejnë, nëse nuk e kanë blerë, vullnetin tonë, varfërinë tonë të tejskajshme. E do të vazhdojmë tu themi: Hallall ju kjfotë, kush është i zoti, mos i shkoftë i zi moti! E gjithë kjo shoqëri, për fat të keq, pasi iu përkul masivisht komunizmit (me përjashtime shumë të vogla të qendrestarëve), sot i përkulet “zengjinëve të rinj”, të pafeve si shqiptarë, lekut të pisët. Janë ata që po na imponohen dhe do të na imponohen, deri sa ne të kuptojmë se cila është rruga që duhet ndjekur! Duke shpresuar që të mos jetë vonë, që pas 2035- ës të mos na duhen edhe 45 vite të tjera për tu ndarë me këtë realitet, i cili fatkeqësisht, duket se tashmë ka ngulur fort rrënjë në këtë tokë, në këtë vend!
P.S. E kush janë këto “zengjinë të rinj”, mund të pyes ndokush. I njohin e i dinë të gjithë, në Shkodër e në Shqipëri, me emra me mbiemra, me prona e llogari bankare, i përmendin në tavolina kafesh. Të gjithë i njohin, me përjashtim të organeve të drejtësisë e të zbatimit të ligjit. As këta të “drejtësisë së re” mesa duket nuk i njohin! /Nga Blerti DELIJA/