Njëra nga protagonistet e firmave piramidale, e quajtura Sutë Zenel Kademi, lindur në vitin 1962 në Tiranë, çuditërisht është njohur me emra të ndryshëm si “Sude”, “Sute” dhe “Maksude”. Deri në vitin 1994 ajo ishte një njeri i panjohur, punëtore në fabrikën e këpucëve në Tiranë. Pas grevës së zhvilluar në këtë fabrikë, filloi të mendojë për forma të tjera pasurimi. Në prill 1994, duke mësuar një lojë të hapur në Shijak, në fabrikën e këpucëve u fut në lojën e quajtur “Fitorja”, në të cilën një person paguante 900 lekë dhe në fund fitonte 300.000 lekë. Në këtë lojë u përfshinë 1024 persona brenda dhe jashtë fabrikës.
Duke parë se loja ecte mirë filloi të nisë aktivitet të veçantë, duke grumbulluar lekë me përqindje me interes 10-16%, sipas parimit i fundit paguan të parin, pa pasur kufi minimal apo maksimal depozitimi. Po ashtu çeli lotarinë “Mbarësia”. Ndihmohej nga motrat dhe burrat e tyre. Aktiviteti i saj zgjati deri në nëntor 1996. Ajo asnjëherë nuk operoi me bankë. Kërkoi të licensohej në aktivitetin e kambizmit, por me vendimin nr.62, datë 26.3.1996 të Tatim-Taksave të Rajonit nr.4, kjo e drejtë nuk iu dha. U regjistrua në Gjykatën e Tiranës si person juridik (“SHPK Kademi”) me vendimin nr.1583, datë 4.6.1996, por nuk iu dha e drejta për kambizëm.
Ajo vetë deklaronte se ishin implikuar si paradhënës rreth 4 mijë persona. Mohonte të kish nxjerrë para jashtë shtetit. Ndërsa sipas raport ekspertimit të kryer, nga tre ekspertë kontabël, subjekti u detyrohej 19.064 personave në shumën 5.820.100.000 lekë. Denoncime bënë në atë kohë 1947 persona që kishin futur paratë te “firma” e saj. Në kërkesën për gjykim, Prokuroria e Tiranës deklaronte se numri i saktë i kreditorëve ishte i vështirë të përcaktohej sepse dokumentacioni i gjetur nuk ishte i plotë.
Rrezikun e dështimit, ajo e kish ndjerë në nëntor 1996, kur ishte përmendur në një radio gjermane. Fillimisht u pa tronditje e rrëmujë e madhe te pagesa e datës 24.11.1996. Pagesa e fundit që kish kryer ishte më 18-19 dhjetor 1996, kohë kur njoftoi se shpërndarja do riniste më 15.1.1997. Kish vënë këtë datë sepse shpresonte ta ndihmonin, gjë e cila nuk u realizua. Ajo synonte të investonte në ndërtimin e fabrikave të linesit, sallamit, por edhe në linja telefonike. Vetëm një person, i cili kërkonte paratë e tij, e kishte kërcënuar vazhdimisht nëpërmjet telefonit. U arrestua më 16.1.1997. U proceduan edhe 20 persona të tjerë, por në gjykim shkuan vetëm 5, tre prej të cilëve në mungesë. U dërgua për gjykim në bazë të nenit 143-25 të Kodit Penal për veprën penale të mashtrimit në bashkëpunim në shumën prej 6.330.570.000 lekëve, duke kërkuar dënimin me 9 vjet burgim, por u dënua me 5 vjet. /Nga Kastriot DERVISHI, publikuar në Facebook/