Ergi Dini, këngëtari i njohur shqiptar, i cili humbi jetën tragjikisht në aksident në vitin 2016 në Tiranë, sot do të festonte 30- vjetorin e lindjes.
Pavarësisht se dhimbja për humbjen në moshë shumë të re, në hapat e parë të rrugëtimit të tij në art, të afërmit, miqtë, të njohurit e kujtojnë eshe në këtë ditë ku mungesa e tij është edhe më e madhe.
Babai i tij, gazetari i njohur Dashamir Dini, ka zgjedhur ta kujtojë përmes vargjeve, të cilat ia dedikon herë pas here djalit të tij. Edhe sot, nga shpirti i tij burojnë vargje që rrenqethin këdo që i lexon.
ERGIT, NË 30- VJETORIN E LINDJES
Në tortën e ditëlindjes
nëna i shkroi lutje Zotit,
edhe për 100 vite te tjera për Ty,Bir…
…por… yjet…
lindkan
vetëm për të ndriçuar qiejtë…
Ç’t’i them kitarrës tënde
me korda ylberesh,
që pret gishtat prej flladi
për ta perkedhelur me dashuri tingujsh?!
Ç’t’i them heshtjes,
që pret te zgjohet
me magjinë e zërit tënd?!
Në dhomën ku flije TI,me ëndrrat,
hidhërimi
përgjak këmbët
duke shkelur
mbi copat e thyera të zemrave tona.
…oh sa të ngjet dielli,Biri im!
E di?
Dikur,
nuk besoja tek krijesat e shënjta!
…sepse
ende
nuk të kisha njohur Ty…