Strukturat e specializuara të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, pas një hetimi disajavor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, të mbështetura edhe nga shërbimet e Forcës së Posaçme ‘’Shqiponja’’ dhe të Komisariatit të Policisë Mirditë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar ‘’Prioriteti‘’.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– Mirash Pima, 29 vjeç, Kristian Pima, 29 vjeç dhe Florian Pima, 33 vjeç, vëllezër, të tre banues në fshatin Kaçinar, Mirditë;
– Eduart Çoku, 41 vjeç dhe Fatmir Ukaj (Tirtja), 24 vjeç, banues në Bulsharë, Mirditë.
Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasve Nikolin Ndoca, 31 vjeç, banues në fshatin Bulsharë, Mirditë dhe Kristian Mena, 21 vjeç, banues në Fan, Mirditë.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Ndue Pima, 58 vjeç, banues në Kaçinar, Mirditë dhe Elion Tirtja, 36 vjeç, banues në Bulsharë, Mirditë.
Bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit disajavor, është ushtruar kontroll në banesat e këtyre shtetasve, në fshatrat Bulsharë dhe Kaçinar, të rrethit Mirditë, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 158 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një pjesë e gatshme për shitje dhe një pjesë në proces tharjeje.
Gjithashtu, u asgjësuan 280 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa që ishin kultivuar në fshatin Bulsharë, Mirditë.
Në vijim të veprimeve hetimore janë sekuestruar edhe 14 000 euro të dyshuara të përftuara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 15 celularë.
Nga hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të përfshirjes së këtyre shtetasve në këtë veprimtari kriminale, dyshohet se ata janë autorë edhe të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Planet, Mirditë, rast i evidentuar dhe i goditur nga strukturat e Policisë, më datë 12 tetor 2023.
Operacioni i sotëm për goditjen e kultivimit dhe prodhimit të kanabisit nuk eshtë operacioni i vetëm, sepse Policia e Lezhës, që nga fillimi i vitit deri tani, ka qenë e angazhuar intesivisht në luftën kundër kanabisit. Vlen të përmendim megaoperacionin policor të koduar ‘’Imazhi’’, i zhvilluar në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe asgjësimin e bimëve narkotike që në fazat fillestare të kultivimit. Gjatë 39 fazave të këtij megaoperacioni janë asgjësuar në total 60 113 bimë narkotike dhe 8 608 fidanë të kultivuar në kubikë.