Ipeshkvi i Dioqezës sonë të Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, ka takuar dje Papa Françeskun në një audiencë private. Në atë takim, ai qe i shoqëruar nga nëna e tij, Zj. Dava Meta dhe Dom Agustin Bardhi, ish-famullitari i Katedrales sonë të Rrëshenit “Jezusi i vetmi shpëtimtar i botës”, i cili ndodhet në Romë për studime.
Me siguri Papa është gëzuar shumë kur ka parë se me kë ka shkuar te ai, Imzot Gjergji. “Ndero nënën e babanë.” është urdhërimi i katërt i Tënzot. Gjatë një katekeze të audiencës së përgjithshme në vitin 2018, kushtuar Urdhrit të katërt tё Dekalogut, Papa Françesku ka theksuar se: “Tё nderosh babanë dhe nënën do të thotë ta njohësh e ta vlerёsosh rëndësinë e tyre edhe me veprat konkrete, që shprehin përkushtimin, dashurinë dhe kujdesin”.
Dashuria ndaj prindit dhe ndaj vëllait, të afërmit, buron nga dashuria e Zotit. Një nga detyrat e para të një ipeshkvi është kujdesi për meshtarët e tij, kujdesi shpirtëror dhe afërsia ndaj nevojave njerëzore të tyre. Jemi të lumtur që si gjithmonë, ipeshkvi ynë i dashur e tregon me dëshminë e tij të jetës që është një Bari i Mirë, Bariu ynë i Mirë.
Në një mesazh të tijin personal të dërguar sot meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve dhe bashkëpunëtorëve të tij laikë, në lidhje me takimin e tij me Papën, ndër të tjera, ai shkruan: “Atij i tregova për ju, për punën, përkushtimin dhe sakrificat që ju bëni çdo ditë për Kishën, të varfrit, të rinjtë dhe fëmijët e Dioqezës sonë. I tregova për shkollën tonë profesionale dhe mensën e të varfërve dhe se si mundohemi, me gjithë forcat e pakta që kemi, të japim gjithçka mundemi të gjithë së bashku për Ungjillin.
Po ashtu i tregova dhe i kërkova lutje për don Gianfranco-n dhe shëndetin e tij. Ai më premtoi se do të lutet për të dhe për ne e më kërkoi të lutemi edhe ne për të. Ju përshëndet të gjithëve.
Ju përshëndes edhe unë. Zoti ju bekoftë e faleminderit për punën e përkushtimin tuaj!”. /Publikuar në faqen zyrtare në Facebook të Dioqeza Rreshen/