Po të duash të realizosh një foto të bukur në Rajonin nr. 5 të një investimi përgjatë këtyre 30 viteve, lodhesh kot sepse nuk e gjen dot! Rrugica krejtësisht të amortizuara, mungesë të ujit të pijshëm pjesërisht, mbetje urbane dhe mbi të gjitha asnjë investim serioz, estetik.
Kjo është panorama që në shumicën e rasteve të ofron sot Rajoni nr. 5 në Shkodër. Këto lagje duket se kanë njohur pak ose aspak investime gjatë këtyre viteve nga Bashkia. Banorët e këtij rajoni duke përfshirë edhe mua, janë ndjerë përherë të diskriminuar deri më sot nga Bashkia e tyre.
Dje, Këshilli Bashkiak Shkodër zhvilloi seancën e këshillimit me publikun mbi Programin Buxhetor Afatmesëm 2024-2026 dhe Buxhetin për vitin 2024 me banorët e Rajonit nr.5.
Problemet kryesore për banorët, ishin përmirësimi i infrastrukturës së shkollave, përmirësimi i infrastrukturës rrugore, zgjerimi dhe përmirësimi i rrjetit të ndriçimit publik, shtimi i pikave të grumbullimit të mbetjeve në disa rrugë të Lagjes 5 si dhe problematika të trashëguara prej shumë vitesh nga Ujësjellës Kanalizime Shkodër.
Në të tillë situatë, banorët nuk kursehen të shprehin pakënaqësinë ndër vite ndaj Bashkisë, duke kërkuar nga Bashkia e re vëmendjen e munguar prej vitesh!
Bashkia e re me patjetër duhet ta ketë në prioritet Rajonin nr.5 dhe unë si anëtare e Këshillit Bashkiak dhe si banore e këtij rajoni do të kerkoj e propozoj investime që duhet të ishin bërë me kohë në këto lagje. /Nga Alma MEHMETAJ, publikuar në Facebook/