Migen Memelli nuk është më trajner i Vllaznisë. Vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit e ka bërë publik dje në mbrëmje vetë klubi shkodran nëpërmjet rrjeteve sociale, ku njoftonte mbylljen e kontratës me pogradecarin.
Qatip Osmani do të jetë trajneri i Vllaznisë. Lajmi për emërimin e trajnerit të ri konfirmohet për opinionin publik edhe nga burime zyrtare në klubin shkodran, teksa Osmani do të prezantohet sot para ekipit dhe do të debutojë në stolin kuqeblu të mërkurën në ndeshjen ndaj Erzenit.
Migen Memelli ka drejtuar edhe seancën e djeshme stërvitore, por më pas është njoftuar nga zyrtarët e klubit për një takim me presidentin Xhaferi.
Mësohet se ky i fundit ia ka njohur meritat dhe e ka vlerësuar për punën e bërë me seriozitet, por rezultatet e kanë detyruar kreun e Vllaznisë të marrë një vendim drastik.
“E kam të vështirë këtë herë, sepse realisht ke punuar shumë mirë, me përkushtim dhe ke qenë gjithnjë i drejtpërdrejtë, por duhet të kuptosh edhe situatën tonë. Rezultatet nuk janë ato që priteshin dhe natyrisht kemi edhe një detyrim ndaj opinionit publik”, mësohet t’i ketë thënë Xhaferi Memellit.
Trajneri, nga ana tjetër, mësohet se ka qenë mirëkuptues dhe i ka kërkuar Xhaferit ta shlyejnë vetëm për kohën që ai ka punuar te Vllaznia dhe jo deri në fund të sezonit. Gjest që sipas burimeve është vlerësuar nga Xhaferi dhe i ka premtuar korrektësi maksimale.
Pasi kanë shtrënguar duart si miq, Memelli është rikthyer për herë të fundit në dhomat e zhveshjes, është përshëndetur me lojtarët, i ka falënderuar ata dhe u ka uruar suksese. Tani mbetet për t’u parë nëse do të përfundojë gjithçka me fjalë “burrash”, apo situata më pas mund të precipitojë edhe në procese gjyqësore. /Nga Admir URUÇI/