“Rruga Theth -Nderlysaj u hap!”, lajmi është dhënë nga kryebashkiaku Beci përmes një publikimi në faqen e tij zyrtare në Facebook. Për shkak të motit të keq, u raportua se sot rruga ishte bërë e pakalueshme për shkak të rrëshqitjes së dheut dhe inerteve.
Menjëherë u vunë në lëvizje strukturat e Bashkisë Shkodër, të cilat nisën menjëherë punën për hapjen e kësaj rruge, e rëndësishme për një zonë turistike si Thethi. Në një postim të mëparshëm, Beci shkruante:
“Përtej kushteve të vështira atmosferike, prej disa orësh punonjës të bashkisë Shkodër nën drejtimin e administratorit të zonës, M.Kopsaj, po punojnë për zhbllokimin e rrugës Theth – Ndërlysaj, e cila është bllokuar në 3 vende si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjes së gurëve.
Deri tani, është bërë i mundur zhbllokimi i dy pikave pranë zonave të njohura nga banorët si “Shkëmbi i Thethit” dhe pranë “Centralit”. Po punohet me ritme të shpejta për zhbllokimin e të gjithë aksit brenda natës së sotme.
Sipas grupeve në terren, brenda 1 ore ky segment rrugor nga Ndërlysaj në drejtim të Thethit do të jetë i hapur për udhëtarët dhe turistët që kishin mbetur të bllokuar sot.”, përfundonte Benet Beci.
Ndërkohë, para pak minutave, vetë kryebashkiaku Beci bënte me dije se rruga tashmë është hapur dhe mund të qarkullohet pa probleme në dy drejtimet e saj.