Shkrimtari i njohur shkodran Shpëtim Kelmendi, ka rikthyer edhe njëherë diskutimin për veprat që duhen vendosur në sheshet publike të qytetit. Përmes disa rreshtave në rrjete sociale, ai kërkon që “tubat” në qendrët të qytetit, të hiqen sa më parë dhe të zëvendësohen nga memoriale të figurave të njohura dhe me kontribute, përcjell ShkodraWeb.
“Duhet me i heqë sa ma parë këto tuba nga qendra e Shkodres, se asht turp të vazhdojnë me qenë aty. Shkodra njihet si vend i kulturës, jo vend i prodhimit të tubave. Tubat duhet t’i shpërndajmë nëpër ato qytezat e ndërtueme me punë vullnetare gjatë kohës së komunizmit.
Te ky shesh meriton të jetë Marin Barleti, humanist i shquem europian, Ndre Mjeda, mjeshtri ma i naltë i traditës poetike shqiptare, Ernest Koliqi, shkrimtari i parë modern shqiptar, njëherësh poet, përkthyes e atdhetar i madh. Mund të propozohen edhe emra të tjerë, por si fillim, e randësishme asht që këta tuba të shëmtuem të zhduken sa ma parë nga sheshi i qytetit të Shkodrës.”, shkruan Kelmendi.
Në këtë shesh, deri para pak viteve, kanë qenë të vendosur “5 heronjtë e Vigut”, të cilët fillimisht “shtegtuan” në afërsi të Varrezave të Dëshmorëve, për tu vendosur përfundimisht në rrethrrotullimin e Dobraçit.