Partizani ka siguruar një fitore të rëndësishme 4-1 ndaj Vllaznisë në ndeshjen e fundit të javës së 12 të Kategorisë Superiore. Të kuqtë kanë dominuar në këtë sfidë, teksa e shohin përsëri veten përkrah Egnatias të vendit të parë.
Fitorja e 6 radhazi e të kuqve në kampionat, e 5-ta nën drejtimin e Abilaliajt, erdhi ndryshe nga të tjerat, pasi ishte me një rezultat të thellë në një ndeshje ku dominoi me lojë dhe raste.
Të kuqtë vuajtën vetëm në pjesën e parë, ku shënuan të parët dhe u arritën shpejt nga shkodranët, por dy gola në minutat shtesë dhe një tjetër në startin e pjesës së dytë, ia bënë shumë të thjeshtë punën ekipit kryeqytetas.
Më pas vijoi një mori rastesh përpara portës shkodrane, me ekipin kuqeblu që ishte thuajse inekzistente në fushë dhe vetëm shihte rastet që shpërdoroheshin para Qarrit nga vendasit. Në fund, fitorja 4-1 i jep tre pikë të arta Partizanit, ndërsa Vllaznia sheh tani veten në zonë e ftohtë të renditjes.
PARTIZANI-VLLAZNIA 4-1
20′ Rrapaj, 45’+1′ Preka, 45’+3′ Mehmeti, 48′ Maget / 32′ (ag) Qirko