Shoqata e Shkrimtarëve të Shkodrës, bëhet sërish me zyrë. Pas problematikës së shfaqur publikisht nga kryetari i kësaj shoqate Zija Vukaj, ka qenë ndërhyrja direkte e kryebashkiakut Benet Beci që ka zgjidhur çeshtjen.
Ka qenë vetë Zija Vukaj, që përmes një publikimi në rrjetet sociale, ka falenderuar personalisht kryetarin e Bashkisë Shkodër Benet Beci për zgjidhjen e kësaj situate të pazakontë.
“Falënderim! Shoqata e Shkrimtarëve Shkodër shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e thellë ndaj Kryebashkiakut Z. Benet Beci që i kushtoi vëmendjen, respektin dhe përkujdesjen maksimale strukturës sonë kulturore, duke gjetur kohën të angazhohej personalisht për të na dhënë hapësirën e denjë e të nevojshme për zyrën dhe selinë e Shoqatës.
Një akt i tillë dashamirësie ndaj artit të fjalës është i hijshëm dhe i pritshëm nga një personalitet i tillë dhe i bën nder qytetit të lashtë të kulturës, Shkodrës sonë.”, shkruan Zija Vukaj në publikimin e tij në Facebook.
Disa javë më parë, zyra që i ishte lënë nga bashkia Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës brenda Bibliotekës Publike “Marin Barleti” iu hoq, duke krijuar shqetësim, i cili mori edhe përmasa. Tashmë kjo çeshtje konsiderohet e zgjidhur, teksa ShkodraWeb ka mësuar se zyra e re e Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, do të jetë në mjediset e “Atelie”, në kushte shumë herë më të mira se paraardhësja.