Ish-drejtori i Policisë së Tiranës Erzen Breçani është arrestuar mbrëmjen e sotme. Mësohet se Breçani ka rënë në pranga gjatë një aksioni të Policisë së Tiranës me urdhër të SPAK.
Policia ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një operacion të gjerë në vend, duke arrestur disa persona me urdhër të SPAK. Mes të ndalurve është dhe ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe disa efektivë apo ish-efektivë policie. Sipas burimeve, në pranga ka rënë edhe shefi i krimeve në komisariatin nr.6 në kryeqytet Detan Gjoni dhe një prej djemve të Breçanit. SPAK ka lëshuar urdhër-arresti për 11 prej tyre dhe deri tani janë ekzekutur shumica.
Mësohet se Gjoni është arrestuar tek hyrja e stadiumit “Air Albania”, pasi kishte shkuar për të parë ndeshjen e Kombëtares shqiptare. Mësohet se në kerkim është edhe Ervin Mata. Në pranga ka përfunduar Jonida Babameto, oficere e drejtorisë së kufirit dhe migracionit.
Erzen Breçani ka qenë drejtues i policisë së kryeqytetit kur kryeministër ishte Sali Berisha. Me ardhjen e PS në pushtet, ai u largua duke ju përkushtuar biznesit privat. Pritet një reagim zyrtar nga SPAK dhe policia për të dhënë detaje nga ky operacion, pasi nuk dihen arsyet zyrtare të ndalimit të tij.
Dyshimet janë se personat e ndaluar kanë bashkëpunuar me grupet kriminale. Mbi 11 të dyshuarit rëndojnë akuza për pastrim parash, grup i strukturuat kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje e autorit të krimit.