Pas një sëmundje dhe beteje me të, është ndarë nga jeta Vida Hilaj. Deri më sot, ndoshta nuk ka qenë një person shumë i njohur, por në këtë ikje shumë të parakohshme, ajo meriton respekt e mirënjohje për punën e bërë ashtu, pa rënë në sy, si pjesë e DRTK Shkodër për rreth 20 vite.
Në punën e saj, më e pakta që mund të thuhet, është se ishte një profesioniste e vërtetë, tregues i qartë i të cilës, është jetëgjatësia në pozicionin e saj brenda DRTK Shkodër. Kjo bindje, forcohet edhe më shumë, pasi lexon komentet e kolegëve të saj në rrjetet sociale.
“Keqardhje e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të zj. Vida Hilaj. Familja humbi njeriun më të dashur, bijën dhe prindin, mungesa e të cilës do t’u shkaktojë një dhimbje të thellë. Ne humbëm, miken dhe kolegen tonë të rrallë e të respektuar që i ka shërbyer me devocion Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër për ‘më shumë se 20 vite.
Por mbi të gjitha, të gjithë humbëm një qytetare të denjë e të respektuar, një grua luftarake dhe të guximshme.
Stafi i DRTK Shkodër i bashkohet dhimbjes së familjarëve, te afërmve dhe miqve në këto momente të vështira duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë. Zoti e pastë në parriz!”, shkruhet në faqen zyrtare të DRTK Shkodër.
Besara Podgorica, drejtore e DRTK- së, flet për një aspekt tjetër, më njerëzor të Vidës, luftën e përpjekjet e saj për të jetuar, madje duke i thënë shumë herë “jo” vdekjes”.
“Do ta mbaj në kujtesë gjatë ditën që më mikprite me aq dashni e dashtuna Vidë! Njeri i rrallë, që të admirova për kurajon dhe shembullin e pashoq të forcës së një gruaje të hekurt.
Luftove me të gjitha forcat, me shpirt e me zemer, luftove sa herë goditeshe dhe prapë qendroje e pathyeshme. Eh, sa herë i the vdekjes: Jo!- Luftove deri në frymën e fundit në emër të jetës që aq shumë e deshe! Sa guxim!! Qofsh e Parajsës!”, shkruan në Facebook Besara Podgorica.