Lënda: Kërkesë për parashikimin me ligj të “krimit të apologjisë” së komunizmit në
Shqipëri.
Drejtuar: – KUVENDIT TË REPUBLIKËS
Sh. së Saj, Znj. Lindita Nikolla – Kryetare
PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
Sh. së Tij, Z. Bajram Begaj
KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Sh. së Tij, Z. Edi Rama – Kryeministër
Shkelqësi shumë të nderuara,
Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë e mbledhur në Asamble të përgjithshme:
me besimin e thellë se drejtësia, paqja dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor shërbejnë për të garantuar një jetë shoqërore të qetë në vendin tonë, duke pranuar se mirëqenia shoqërore kalon përmes zgjidhjes së konflikteve të shënuara nga historia e Vendit tonë, duke konsideruar urgjente vendosjen e drejtësisë shoqërore si garanci për paqen dhe vëllazërinë mes njerëzve, duke konstatuar që nga veriu në jug ka rikthime të herëpashershme të neo-komunizmit dhe forma të lartësimit të ish diktaturës komuniste të cilat fyejnë ata që kanë vuajtur dhe shkaktojnë përplasje, duke konstatuar se disa televizione paraqesin ende filma të prodhuar nga diktatura, të cilët, për pasojë mbajnë gjallë komunizmin dhe i “injektojnë” pak nga pak parimet e diktatorit brezave të rinj, duke konstatuar se librat e historisë nuk thonë të vërtetën mbi komunizmin në Shqipëri; pasi ka zbuluar se në vende turistike shiten objekte/souvenirs të diktatorit dhe i ngrenë lavde atij,
Atëherë, bazuar në: rezolutën për dënimin e krimeve të komunizmit të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri, më 30 tetor 2006; rezolutën për dënimin e krimeve ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, më 3 nëntor 2016; deklaratën e Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani të datës 9 nëntor 2016;
Kisha Katolike, në forcën e ministerit të saj apostolik të faljes, është në favor të faljes dhe mbështet çdo energji të saj në kërkim të paqes dhe kujton se Martirët tanë kanë falur ata që i kanë akuzuar, ata që i kanë torturuar dhe ata që më pas do t’i pushkatonin;
vullnetin për të kontribuar në ecjen e kombit drejt krijimit të kushteve të favorshme të zhvillimit dhe me vetëdijen se zhvillimi i vërtetë ka në themel paqen;
mbështetje të parimeve ungjillore dhe në Magjisterin e Kishës, Kisha Katolike, ndjen detyrën të denoncojë të keqen kudo që paraqitet dhe të shmangë përhapjen e saj me çdo mjet moral që ka në dispozicion;
dhe
KËRKON
NGA INSTITUCIONET DREJTUESE TË VENDIT
Të miratohet një ligj i cili të parashikojë krimin e apologjisë së komunizmit njësoj si vendet europiane që kanë dënuar dhe parashikojnë sanksione të rënda për krimin e apologjisë së nazizmit dhe të fashizmit;
që të zbatohen të gjitha parashikimet e rezolutave parlamentare dhe deklaratës presidenciale të sipër cituara në një kohë sa më të shkurtër të mundshme;
Që librat e historisë të shkruajnë të vërtetën e komunizmit në Shqipëri;
Që burgjet dhe vendet e torturës të konsiderohen dhe ruhen si Muze, si psh. Burgu i Spaç-it;
Që të persekutuarit politikë dhe të mbijetuarit nga burgjet të kenë shpërblimin e përshtatshëm;
Që aktet ligjore dhe nënligjore të përcaktojnë rregulla të qarta mbi dekoratat, titujt e nderit dhe medaljet në mënyrë që të shmanget vlerësimi dhe lartësimi i funksionarëve të organeve të diktaturës komuniste.
Shkelqësi të nderuara, duke shpresuar në pranimin e kësaj kërkese, ju përshëndes dhe ju uroj punë të mbarë në detyrën tuaj.
+ Angelo Massafra OFM
Arqipeshkev Metropolit i Shkodër-Pult
President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë