Bab, direkt më mori malli. Më mori malli për zërin tënd, për batutat e tua, për veprimet e tua, për shikimin tend, për këshillat e tua, për energjinë tënde, për pozitivitetin tënd, për përqafimin tënd, më mori malli për ty.
Ahh, çfarë Babai, çfarë figure, çfarë talenti, çfarë personaliteti, çfarë njeriu. Nuk e kam vënë asnjëherë në dyshim madhështinë e këtij njeriu, por dje dhe sot, vertetova se Zef Deda përfundimisht nuk ishte vetëm i familjes tonë, por ishte pjesë e çdo familje shqiptare.
Nuk gjej dot fjalët për të shprehur mirënjohjen ndaj secilit prej jush. Jam i emocionuar për respektin që ju treguat për Zefin si njeri dhe si artist. Faleminderit ju, publik i dashur, për çdo fjalë të mirë, çdo status në rrjete sociale, për çdo foto të shpërndarë, çdo sms të dërguar, çdo lot, çdo shtrëngim duarsh dhe çdo përqafim, duke shprehur me të gjitha mënyrat respektin për figurën e tij dhe dhimbjen për largimin nga kjo botë.
Faleminderit të gjitha televizioneve dhe mediave, për çdo lajm dhe kronikë ku vlerësohet kontributi i tij artistik dhe jo vetëm, faleminderit personaliteteve politike, sportive, fetare dhe intelektualëve të këtij vendi, që e vlerësuan Zef Dedën në gjithë dimensionin e tij, faleminderit shqiptarëve që morën rrugën nga çdo cep i vendit dhe jashtë tij për të ardhur në Shkoder e për të na lehtësuar dhimbjen. Mirënjohje!
Babush, unë besoj se ti ke parë gjithçka që ndodhi dje dhe sot, e pe respektin e një populli të tërë për ty, jam i bindur se ishe aty, ta di tipin, nuk ikën kollaj ti, madje nuk ikën kurrë. Ti, z. Unik, je i përjetshëm, sepse njerëzit vdesin kur harrohen dhe ti s’ke për tu harruar në jetë të jetëve.
Zemra ime, nuk e ke idenë sa të dua. Por pa merak, do flasim çdo natë, do më pyesësh për tekstin e javës dhe unë do raportoj si studenti yt i përjetshëm, pastaj do dalim dhe do ecim, krah për krah, si gjithmonë..! Nder i madh të jem yt bir…! /Nga Julian DEDA, publikuar në Facebook/