“Këtu fillon e ardhmja”, shkruhej në kopjet e para të Kushtetutës së miratuar me referendum me 21 tetor 1998 dhe të firmosur/shpallur zyrtarisht nga presidenti i kohës me 28 nëntor të të njëjtit vit. Ishte një kushtetutë e hartuar pa pjesëmarrjen e plotë e aktive të Partisë Demokratike, e cila në qershor të një viti më parë, kishte lën pushtetin pas revoltave të armatosura që pasuan piramidat financiare, të cilat i gllabëruan shqiptarëve disa mialirdë dollarë, shifër që asnjëherë nuk është e saktë apo e njëjta.
Megjithatë, sipas shifrave zyrtare, 93, 5 përqind e pjesëmarrësve në votim, të cilët ishin vetëm 50,57% e numrit të përgjithshëm prej 1.929.813 qytetarë me të drejtë vote, ishin për miratimin e draftit të përgatitur nga komisioni Imami- Godo. Në parlament, drafti kishte marrë votat e rreth 80 deputetëve. Sipas PD- së, Kushtetuta nuk ishte miratuar, duke paraqitur si shifër pjesëmarrje vetëm 39.6% të totalit. Gjithesi, me firmën e Rexhep Mejdanit, Kushtetuta mori fuqi të plotë teksa ish- presidenti Berisha, lider i opozitës së kohës, deklaronte se me ardhjen në pushtet, do të bëhej një kushtetutë e re.
Sot, kur zyrtarisht festohet 25 vjetori i kësaj kushtetute, pyetja e parë e natyrshme është: A e përmbushi misionin si ligji themeltar kryesor i një shteti, një republike? Ka shumë indikatorë për ta vlerësuar këtë, por ndoshta më i rëndësishmi, është qendrueshmëria e saj, në kuptimin e largpamësisë së autorëve të saj.
Formalisht, kushtetuta e SHBA- ve, nga 1778, është rishikuar vetëm 27 herë. Pra në rreth 245 vite, vetëm 27 herë. Kushtetuta e Shqipërisë, është ndryshuar të paktën 7 herë nga 1998 dhe gjithmonë, si rezultat i kompromiseve politike të momentit PS- PD. Dhe më shqetësuese, është imponimi i Kushtetutës ndaj qytetarëve, të cilët formalisht e miratuan me referendum para 25 viteve: Asnjëherë nuk u pyetën! Vendosi vetëm parlamenti, më saktë, vullneti i 3-4 personave dhe votave të deputetëve të tyre në sallën e Kuvendit. Me gjasë, ndryshimet do të vazhdojnë në pritje të ndryshimeve në reformën në drejtësi por edhe asaj administrative- territoriale në nivelin e parë, të Qarqeve. Me shumë mundësi, do të duhen ndërhyrje edhe në kuadër të negociatave me BE- në për përputhjen e plotë të legjislacionit.
Në vitin 1998, Kushtetuta percaktonte qartë që në preambulën e saj synimet. Për qytetarët që do ti nënstroheshin asaj por edhe për çdo aspekt të jetës sociale. 25 vjet më pak, paradoksalisht, brenda territorit ku Kushtetuta “qeveris”, ka më pak shtetas. Shpopullimi është ulur këmbëkryq ndërsa shqiptarët marrin arratinë nga vendi i tyre. Sigurisht, shqiptarët nuk ikin për shkak të kushteve të mira. Nga ana tjetër, Kushtetuta nuk ia ka dalë të “bëjë zap” as klasën politike, “baballarët” që e formësuan dhe drejtuan. Për të njëjtën çeshtje, të gjitha palët i referohen të njëjtës Kushtetutë por me këndvështrime të ndryshme.
Dhe pyetja e fundit: A po festojmë 25 vjetorin e Kushtetutës apo 25 vjetorin e Kushtetutës së 1998- ës?! Nëse do të kishte një ditë për Kushtetutën, në kuptimin e festës, mbase duhet kthyer shumë e shumë dekada më pas. Nëse i referohemi asaj të 1998- ës, ajo sot nuk feston 25- vjetorin! Sot është përvjetori i një kushtetute, e cila realisht vitlindjen e ka në 2008- ën. Dhe duhet ti festohet 15 vjetori! Kushtetuta e 1998- ës synonte një republikë parlamentare. Nga 2008- a, Kushtetuta parashikon një republikë kryeministrore. /Nga Blerti DELIJA/