Teatri “Migjeni” ka arritur suksesin e radhës. Pjesëmarrja në Festivalin Teatror “Moisiu”, ka qenë një sukses i vertetë. Shfaqja “Vizita” me regji të italianit Davide Iodice, muzikë Lino Cannavacciolo, tekst të Fabio Pisano (shqipëruar mjeshtërisht nga Zija Vukaj), ka rrëmbyer tre çmime.
Shfaqja e trupës së teatrit “Migjeni” është vlerësuar si “Shfaqja më e mirë”, “Muzika më e mirë” dhe “Skenografia më e mirë”, çmime këto ndoshta më të rëndësishmet e këtij eventi, raporton ShkodraWeb.
Pasi u shfaq disa netë në Shkodër dhe Tiranë, “Vizita” konkurroi edhe në Festivalin Teatror “Moisiu”, ku u shkaf në ArTurbina me 22 nëntor 2023. Kjo shfaqje është një prodhim i Sardegna Teatro dhe Teatri “Migjeni”, me mbështetjen e Insitutit Italian të Kulturës në Tiranë. Interpretuan aktorët: Rita Gjeka- Mjeshtër i Madh, Rajmonda Marku, Pjerin Vlashi, Merita Smaja, Fritz Selmani, Jozef Shiroka, Julinda Emiri, Aleksandër Prenga, Vladimir Doda.
Festivali Teatror “Moisiu” u mbajt nga 22- 27 nëntor 2023, për të vijuar një traditë relativisht të re por që premton se do të vijojë me seriozitet e rëndësi të shtuar vit pas viti, duke tërhequr interesin e trupave pjesëmarrëse në një territor gjeografik e shpirtëror gjithmonë në rritje, përcjell ShkodraWeb.
Suksese Teatrit “Migjeni”, aktorëve të mrekullueshëm shkodranë, një gershetim fantastik edhe në mes brezave, bazuar tek talenti dhe përvoja, dy elemente kyç për të sotme e të ardhme të sigurtë!