Siç ishte njoftuar ditë më parë, Bashkia e Shkodrës ka çelur zyrtarisht sot sezonin e festave të fundvitit. Për herë të parë, në sheshin para bashkisë së Shkodrës, është organizuar ndezja zyrtare e dritave të festës, duke nisur nga pema tradicionale. Ishte kryebashkiaku Beci dhe dy fëmijë, ata që ndezën zyrtarisht pemën tradicionale.
Në gjithë gjatësinë e pedonales “28 Nëntori”, ishin vendosur shtëpiza prej dërrase por edhe lodra e zbukurime të ndryshme, kryesisht për të vegjlit por jo vetëm. Nuk mungonte as pista e patinazhit në akull.
Ndërsa vijon dekorimi i qytetit në disa zona të tij, me synim përhapjen e atmosferës së festave edhe përtej qendrës, këtë të premte, mijëra shkodranë i janë përgjigjur thirrjes së bashkisë dhe kryebashkiakut Benet Beci për t’iu bashkuar eventit.
Pasditen e sotme, është vënë në zbatim edhe kufizimi i lëvizjes së makinave në sheshin “Nënë Tereza”. Nga ora 17.00 deri në 00.00, deri me 31 dhjetor, sheshi do të jetë vetëm për këmbësorët. Gjatë këtij muaji, janë premtuar surpriza të shumta, teksa sot është vetëm nisja e dhjetorit festiv në Shkodër.