Krishtlindjet e Viti i Ri po afrohen, dhe me to qytetet bahen gati me u shndërru në një përrallë, me drita që shkëlqejnë e zbukurime që ngjallin gëzim e festë. Edhe shkodranët, që për nga natyra jetojnë si me pasë festë përditë, u përgatitën shpirtnisht dhe u mblodhën në shesh për ndezjen e dritave. Nga fotot që qarkulluan gjithçka dukej shumë e bukur. Pati edhe diskutime me sfond politik. A mos po i josh Kryetari i Bashkisë njerëzit me vezullime e iluzione?
Nga njena anë, opozitarë të aktivitetit të tij, e paraqitën si show i radhës i qeverisë për me ble vëmendjen e qytetarëve. Nga ana tjetër, njerëz afër politikave të qeverisë folën me terma epik duke e shfaq Kryetarin si “Komisari i Dritës”.
Në fakt, e vërteta nuk ndjek bindjet politike e si ndodh shpesh, gjendet diku në mes. Partia që për shumë vite i ndërpritej rruga në Bushat, sot ka të drejtën e qeverisjes, ka të drejtën e mbase ndjen nevojë me tregu që din me ba e din me ba mirë dhe asht e kuptueshme dhe krejt e natyrshme që dritat e qytetit të ndriçojnë pak edhe kioskën e Partise. Ama, asht i pashmangshëm fakti që ato foto të ndezjes bashkarisht të dritave tregojnë edhe zgjimin e një ndjenje që bashkon, që afron njerëzit e shndërrohet në një formë e një mundësie me e nda me të tjerë gëzimin e festave. Festa që, falë edhe dritave në shesh, nuk janë ma individuale por komunitare. E ku ka ma bukur se kjo.
Gjithsesi, asht po aq e vërtetë se këto drita dhe zbukurime kanë një çmim, një kosto që zakonisht paguhet nga vetë qytetarët. Ndërsa sheshet ndriçojnë me drita festive, asht e randësishme që banorët të dinë edhe sa shpenzojnë, e nga kjo të nxjerrin konkluzionet mbi menaxhimin e të ardhunave. Jetojmë kohë të vështira, të ardhuna ka pak, borxhe ka shumë. Asnjë qindarkë nga borxhet nuk e paguan shteti, gjithçka del nga xhepat e qytetarëve. Nevoja për ndriçim s’njeh kufij, si jashtë edhe brenda nesh. Sidomos në këto kohë të zymta kena nevojë me shpresu te e mira, te e bukura, te e drejta.
Politika ka detyrën edhe me ndez dritat e vetëdijes, falë të cilave secili prej nesh të angazhohet që të ardhunat të ndahen drejtë e të shkojnë aty ku ka ma shumë nevojë.
Pas daljes në shesh, secili kthehet në shpinë e vet. Dikush gjen ngrohtë, drita e ushqim me bollëk. Dikush gjen ftohtë, pak ushqim, pak lek. Elektriku në Shqipëri kushton njësoj apo ma shtrenjtë se në shtetet europiane. Gazi kushton. Ilaçet s’preken me dorë. Një paketë makarona kushton ma shtrenjtë se në Itali. Rrogat janë ato që janë. Dikush s’punon, dikush ka të sëmurë me u përkujdes. Dikush ka lindë i varfën, dikush ka mbet i tillë, dikush asht ba.
Ça ndodh kur kthehena mbas sheshit e dritat e Bashkisë na shohin prej larg? A jena prapë të tanë bashkë? Jo, nuk jena ma, secili për vedi!
Aty po ju presin, Z. Kryetar i Bashkisë, po ju presin aty ku ban ftoftë, ku s’ka ushqim mjaftueshëm, ku s’ka ilaçe, ku ka varfni e mundësi të pakta. Aty po ju presin me ndez dritën. E nuk po ju presin vetëm ju në fakt, por të gjithëve ne, sepse asnjeni nga ne s’asht i përjashtum nga përgjegjësia. Atje po na presin, të gjithëve bashkë, me ndez dritën.
A e ndjeni thirrjen? Le t’bajmë që dritat e sheshit mos na dehin mendjen po t’na ndriçojnë e t’na japin mundësinë me pa errësinat e shumta ku njerëzit po presin për ne. /Nga Klodian KOJASHI/