Paraqitja e ambasadorit Mustafa Nano në Zvicër me veshje popullore në pritjen zyrtare për festën kombëtare, nëse çka raporton media është e vërtetë, nuk është edhe aq naive, dhe as nga ato teke të lezeçme plot përkëdheli të Muçit, që i shkrep papritmas të bëjë veprime të paparashikuara; kjo bën pjesë në një atmosferë të turpshme folklorizimi të Shqipërisë, e lidhur ngushtë me teknikat e largimit nga Europa, me dhënien e idesë se jemi popull baritor, jashtë parimeve të demokracisë moderne, nostalgjikë, zhytur në ruralitet, dhe që nuk shpjegohemi dot veçse me albanologji romanticiste!
Nuk them se Muçi vetë e bën me qëllim! Puna është se nuk llogarit pasojat e tekës së tij! Kushedi kush ja ka dhënë idenë! Imagjinoj sikur ambasadori italian të vente në pritjen e Muçit me pelerinë legjioneri romak, ambasadori kanadez me kostume indianësh, ambasadori grek nudo me sandalle, etj! Dikush do thoshte se ose është skenë teatri absurd, ose çmendinë!
Mirë që nuk shëtit me kalë në semafor duke thënë se jam si Skenderbeu ose me alltije në brez si Bajram begu! Ambasadori lë të kuptojë se po e bën si Konica në ShBA në vitet ’30. Po ku Konica, ku Muçi, ku vitet 30 të një shekulli më parë, ku shekulli 21.
Aq më shumë të duash të shpjegosh Shqipërinë e sotme, shqiptarët e sotëm, me brekushet që i pëlqejnë ambasadorit tonë në Zvicër, është si të shpjegosh kompjuterin me llampën e Edisonit.
Përse n’a folklorizon! Të bukura kostumet tona. Merr një manikin nga ato të Arian Çanit në studio, prej kauçuku, vishi, dhe kaq. Shpjegoji me adhurimin që meritojnë.
Fjala e mbajtur më keq se trilli i veshjes. Rifut kot sherrin me grekët se kujt i takojnë veshjet tona. Po marrëdhëniet me Greqinë përse i acaron? Përse iu fut xixa kot! A thua se nuk mjafton Beleri! /Nga Artan FUGA, publikuar në Facebook/