Paraqitjet e shkëlqyera që ka treguar në Bundesligë, kanë bërë që të jetë në radarët e Federatës Shqiptare të Futbollit. Sulmuesi i Mainz, Brajan Gruda, me origjinë shkodrane, ka pasur bisedime me FSHF-në.
“Sport Bild” ka bërë me dije se 19-vjeçari ka qenë në kontakt me FSHF-në pasi kjo e fundit ka shpresë se mund ta bindë që të vishet kuqezi. Sipas “Sport Bild” lojtari ua ka bërë të qartë ndërmjetësve se nuk është i interesuar të vishet kuqezi.
Gruda është një nga talentët më premtues në Gjermani. Ai është një lojtar i rregullt në formacionin e Mainz-it. Këtë sezon në Bundesligë numëron 568 minuta në 11 ndeshje. Në këto takime 19-vjeçari ka lënë gjurmë duke shënuar një gol dhe duke dhënë një asist.
Sa i përket interesimit të Federatës Shqiptare të Futbollit mësohet se Gruda e ka refuzuar duke pritur një ftesë nga Julian Nagelsman. Siç dihet Gruda është një lojtar, i cili është ndjekur rregullisht nga ekspertët e Federatës Gjermane të Futbollit, të cilët e kanë grumbulluar prej vitesh.
Gruda ka luajtur me Gjermaninë e moshave deri në 15 vjeç më 9 maj të 2019-ës. Që prej atij viti ai ka qenë gjithmonë pjesë e skuadrave Shpresa të Gjermanisë.