Krijimi i heronjve të rremë ishte një nga mjetet e propagandës së regjimit komunist, propagandë e cila është ndalur. Njëri ndër ta ishte edhe 13 vjeçari Nik Pjetër Ndreka, i cili në fjalorin enciklopedik të vitit 1985 cilësohej si “shembull i lartë patriotizmi e besnikërie për mbrojtjen e atdheut dhe të fitoreve të revolucionit popullor”. Jo vetëm kaq, por gënjehej duke sajuar ngjarje të paqenë sikur ishte kapur dhe therur nga “diversantët”.
“Diversantët” ishin pa emra dhe gjoja ishin shpartalluar mga forcate kufirit. Për këtë mgjarje janë dy njoftime të kohës.
Sipas komunikatës operative të Komandës së Kufirit, nr.173, datë 22.6.1952, ora 8.00, nga Sektori i 3-të Shkodër njoftohej se më 19.6.1952, ora 17.00, në sektorin e postës së Vermoshit ishin parë 6 diversantë prej pionierit Nik Pjetri, i cili informoi komandën. Ishin diktuar gjurmët e tyre, por “diversantët” as ishin parë e as ishin dukur. As drejtimi i tyre nuk dihej. Në orën 21.00 të datës 20.6.1952 ishte gjetur “i vrarë me thikë” trupi i Nikë Pjetrit.
Por sipas komunikatës operative të Komandës së Kufirit, nr.176, datë 25.6.1952, ora 8.00, Shkodra saktësonte: “Në lidhje me komunikatën tonë nr.173, datë 22.6.1062, ky sektor njofton se sipas analizës së bërë në vend nga Komanda e Batalionit dhe shokët e zbulimit, rezulton se pionieri Nik Pjetri nuk është vrarë me thikë nga diversantët por është gremisur vetë nga shkëmbi”. /Nga Kastriot DERVISHI, publikuar në Facebook/