Shpesh marr shembull festivalin e Gjirokastrës në komunizëm, një iluzion plot ngjyra piktoreske mes fustanellave, shajakëve, xhubletave dhe plisave.
Mbaruar festivali lebërit buzë detit ushqeheshin me konserva dhe buk kuadrate dhe malësorët në alpe margarinë dhe buk kuadrate.
Nga njëra anë po ndërtohej njeriu i ri por nga ana tjetër ata që jetuan për mijëra vite me tufa delesh tashmë nuk kishin as lesh, ama në festival shajaku dhe plisi shkëlqenin!
Na u prenë rrënjët që kishim të lidhura me tokën tonë atëherë dhe kur diktatura ra, konsumizmi gjeti një popull të gatshëm! Dhe ja ku jemi sot, me zgara Korçare pa asnjë prodhim të tokës Korçare, me tryeza të shtruara plot prodhime importit dhe këngë me çifteli.
Festojmë me plisa në stadium ama birra brenda stadiumit është import, tokat nuk mbillen me elb.
Sa herë kemi festë kombëtare festojnë Kinezët që prodhojnë miliona flamuj sintetik që flakërojnë nga New Yorku në Hong Kong dhe pas festës flaken dhe rivazhdojmë rutinën. Importuesit as që marrin mundimin me prodhu biles kujdesen qe ne media të perceptohet prodhimi vendas si i pakontrolluar dhe jo cilësor!
Ndjesë për shkrimin antipatik por doja thjesht tju kujtoja që raportet import/export janë 70% import me 30% export! Dhe që themelet e një shteti janë tek prodhimi i brendshëm bruto që tek ne pak përmendet! /Nga Altin PRENGA, biznesmen/