Si rezultat i administrimit të shpejtë të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të megaoperacionit “Tempulli”, se një shtetas shiste lëndë narkotike cannabis sativa, në doza, në lagje të ndryshme të Shkodrës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kanë vënë në pranga shtetasin përgjegjës.
Konkretisht, u arrestua shtetasi rumun N. (I.) D., 18 vjeç, banues në Shkodër.
18-vjeçari u kap në flagrancë, në lagjen “Qemal Stafa”, teksa posedonte një sasi lënde narkotike cannabis sativa, të ndarë në doza, me qëllim shitjen në lagje të ndryshme të qytetit. Dozat u sekuestruan nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale, së bashku me një armë të ftohtë (dorezë metalike) që iu gjet shtetasit N. (I.) D., në momentin e arrestimit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.