Mesdhjetori i çdo viti, më sjell në vëmendje largimin e njërit prej personaliteteve më të spikatura që kam njohur në Shkodër, shkrimtarin, politologun, publicistin Skender Drini. Me 16 dhjetor 2014, në orët e para të mëngjesit, ai u shua fizikisht. Ishte një humbje e madhe për letërsinë dhe jo vetëm, për qytetin që asnjëherë nuk e vlerësoi sa duhet, as në të gjallë të tij e as në mungesën gati 9- vjeçare.
Në fakt, ishte Facebook, i cili më kujtoi sot momentet e fundit të jetës së Skender Drinit. Nuk guxoj ta përdor “i ndjerë” sepse gjykoj se asnjëherë nuk është larguar vertetë nga kjo botë sepse kishte një amanet për të përmbushur…
Me 14 dhjetor 2014, ndërsa e dinim që Profesori po luftonte fort ti shmangej asaj që pas dy ditëve rezultoi e pashmangshme por jo më e fortë se ai, kam hedhur disa rreshta në hapësirën time mediatike të Facebook.
“Tregimi “Testamenti” (ka pak kohë që ka dalë nga shtypi), ja çfarë ka shkruar Skender Drini: “Më në fund, dëshirën time më të fundit, më të rëndësishmen dhe me kapitalen: Do t’u përgjërohem të gjithëve që të bëni të pamundurën dhe të mos më lini të vdes”. Po kush e ka këtë forcë të mbinatyrshme në kushtet aktuale të Patriarkut, siç e quan miku ynë Zija Vukaj?!”, shkruaja.
E sot, kur edhe pak orë do të kujtojmë largimin e tij nga kjo botë, fjala “përgjërohem” shkruar me dorën e Skender Drinit, shumë kujt mund ti duket e çuditshme. Ata që e njohën nga afër por edhe ata që e admiruan në distancë, e dinin se Profesori këtë fjalë nuk e kishte në fjalorin e tij. Ishte antikonformist, i papërkulshëm, sypatrembur edhe ndaj vetë vdekjes, ishte atesit, besonte tek shumë pak njerëz dhe…dashuronte. E në emër të kësaj, ai, që me gjasë e parandjente largimin e shpejtë, përgjërohej.
Vdekjes fizike, tokësore, askush nuk mund të shmanget. Aksioma e përbotshme “kush lind, një ditë do të vdesë”, do të përmbushet për secilin nga ne, atëherë kur Zoti apo natyra me ligjet e saj, “këput” perin e jetës. E kështu ndodhi edhe me Skender Drinin atë 16 dhjetor të 9 viteve më parë. Por edhe sot, nuk e risjell mes nesh si “të ndjerin” Skender Drini.
Siç kam shkruar edhe më herët, pres ta takoj rrugëve të qytetit, të jetës ose të përtejmes. I pandryshuar aspak, me cigaren e tij mitike në dorë, me batutën e radhës, të cilën duhet ta bluash mirë para se të japësh një reagim. Me zërin e etij të veçantë, me ironinë e zgjuar dhe me këshillat e vlefshme për këdo, për çdo gjë. Me 16 dhjetor, shumë do ta kujtojnë. Në heshtje apo publikisht. Jo pak, do ta admirojnë. Ndoshta edhe më shumë se me parë. Edhe për shkak të dëshirës së tij të fundit si testament. /Nga Blerti DELIJA/