Një vrasje është shënuar sot (15 dhjetor 2023) brenda burgut të sigurisë së lartë të Peqinit. Sokol Mjacaj, i cili vuan dënimin me burg përjetë për vrasjen e e dy turistëve çekë, 8 vjet më parë, ka vrarë Arben Lleshin ndërsa ka mbetur i plagosur dhe Ilir Xhakja. Edhe këta dy të fundit janë persona të dënuar me burg përjetë.
Burime paraprake bëjnë me dije se vrasja ka ndodhur në ambientet e ajrorjes. Sokol Mjacaj ka qëlluar drejt Arben Lleshajt ndërsa Ilir Xhakja i cili i ka dalë në krah për ta mbajtur ka mbetur i plagosur. Më pas u mësua se Arben LLeshaj ndërroi jetë në spital ndërsa Ilir Xhakja ndodhet i plagosur në spitalin e Peqinit.
Ende janë të paqarta shumë detaje ndërsa në njoftimin paraprak të Drejtorisë së Burgjeve të orës 14: 51 flitej për një konflikt mes tre te denuarve me burgim te përjetshëm.
Dyshohet se Sokol Mjacaj është paguar për të kryer vrasjen, ndërsa dyshohet se arma, tip pistoletë hyri në burg nëpërmjet një droni.Ndërkohë drejt burgut të Peqinit kanë shkuar forca policore për përforcime, si dhe drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.
Sokol Mjacaj po merret në pyetje ndërsa para se të mësohej ngjarja ministria e Drejtësisë informoi se kishte urdhëruar futjen e Mjacajt në 41 Bis, pasi cenonte sigurinë në burgun e Peqinit.
Sokol Mjacaj (foto lart, në mes) ka vrarë dy turistët çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit. Mjacaj i grabiti dy të rinjtë e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre. Pas kryerjes së krimit Mjacaj u largua nga vendngjarja dhe u ul në një kafene të fshatit për të porositur kafe. I tha kamerierit të lokalit se kishte një aparat fotografik për të shitur për 5000 lekë. Kamerieri ka këmbëngulur se nuk e blen me atë çmim pasi aparati ishte i thyer dhe i shitur. Ai ka dhënë vetëm 500 lekë Mjacajt, më pas ky i fundit u largua në drejtim të paditur. Sokol Mjacaj u arrestua dy ditë më pas me 5 korrik 2015. Më 5 korrik 2022 Gjykata e Lartë la në fuqi dënimin, burg përjetë për Sokol Mjacajn. Ky dënim ishte dhënë nga Gjykata e Apelit të Shkodër në 2018. Sokol Mjacaj i mori jetën edhe fëmijës 13 vjeç, Agim Leraj. Ai i mori jetën shokut të tij të shkollës për një varëse floriri. Familja e tij nuk e ka pranuar, ndërsa ai endej sa në një zonë në tjetrën të Dukagjinit, duke kërkuar mënyra sesi të grumbullonte para.
Ilir Xhakja (foto lart, majtas) është dënuar me burg përjetë për vrasjen e komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj. Ilir Xhakja e ekzekutoi ish-komisarin Tahiraj me pistoletë, duke qëlluar plot 5 herë rreth orës 18:00 të 13 shtatorit 2012 në vendin e quajtur Katund Sukth të Durrësit, gjatë një operacioni kontrolli në të cilin u ndalua nipi i tij Ledion Krasnaj. Më 23 janar 2014 Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimi ne shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, duke dënuar me burgim të përjetshëm Ilir Xhakjan, i dënuar për vrasjen e komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj.
Arben Lleshi (foto lart, djathtas) është I dënuari I tretë I përfshirë në përleshjen që ka ndodhur në burgun e Peqinit. Ai është dënuar për vrasjen e bashkëkombësit të tij Agim Hoxha në Sauthempton. Ngjarja është shënuar më 10 prillin 2013 kur Arben Lleshi 27 vjeç, i njohur si shpërndarës droge në Angli, dogji të gjallë brenda në makinën e tij Agim Hoxhën 29 vjeç në Sauthempton të Anglisë.