Një person ka mbetur i plagosur sot në Shkodër në afërsi të Tregut Valutor- Dollari. Ngjarja ka ndodhur në zonën e këmbimit valutor të qytetit, mjaft e frekuentuar në këtë orë të ditës.
Raportohet se në drejtim të të plagosurit është qëlluar 4 herë me armë zjarri nga një person me biçikletë, i cili është larguar në drejtim të kryqëzimit të ish- Degës së Brendshme. Paraprakisht, i plagosuri është identifikuar si Aleksandër Curri, rreth 40 vjeç.
Deri më tani nuk dihen motivet e ngjarjes në fjalë, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje. Raportohet se i plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 09:00, në vendin e quajtur “Dollari”, është plagosur me armë zjarri shtetasi A. C., 40 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe po merr ndihmën mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën, për kapjen e autorit.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Ndërkohë, janë ngritur pika të shumta kontrolli. Forcat e Sigurisë Kombëtare po vijojnë krehjen e zonës, për kapjen e autorit, i cili dyshohet se është larguar në brendësi të lagjeve të qytetit.