Mbrëmjet në Shkodër prej shumë ditësh, janë kthyer në një festë popullore. Në sheshin para bashkisë, çdo mbrëmje ka muzikë “live” dhe me Dj, duke grishur qytetarët ti bashkohen festës pavarësisht temperaturave të ulëta të këtij dhjetori.
Mbrëmjen e të mërkurës, ka qenë Frederik Ndoci dhe Elsida Sinaj që kanë “ndezur” atmosferën. Spektatorë ishin edhe kryebashkiaku Benet Beci, me zonjën e tij, Fitoren, të cilët janë “rrëmbyer” nga atmosfera e krijuar dhe kanë vallëzuar bashkë me qytetarët e tjerë.
Video është shpërndarë nga kryebashkiaku Beci, duke e shoqëruar edhe me komentin: “Me këtë super atmosferë që ofron Shkodra, ju uroj një natë të qetë!”. Edhe zonja Beci, ka shpërndarë të njëjtën video, duke shkruajtur: “Vetëm kjo na kishte mbetë pa bërë”.
Sipas programit të bërë publik nga Bashkia Shkodër në rrjetet sociale, gjatë gjithë muajit dhjetor në sheshin para këtij institucioni, do të ketë koncerte “live” dhe muzikë të zgjedhur nga Dj.