Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar SPAK vendimin e marrë në seancën e sotme parlamentare për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Kuvendi s’ka humbur kohë duke dërguar vendimin në Prokurorinë e Posaçme rreth dy orë pasi kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Berishës u miratua me 75 vota pro.
“Bashkëlidhur ju dërgojmë: Vendim nr. 127/2023 “Për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.
Gjithashtu, bashkëlidhur ju dërgojmë edhe raportin rekomandues të deputetëve të shumicës parlamentare, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, dhe raportin rekomandues të deputetit Enkelejd Alibeaj, anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin”, thuhet në dokumentin e dërguar në SPAK nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.
Vendimi u mor mes kaosit dhe tymuesve në sallën e Kuvendit dhe protestës përpara Parlamentit të organizuara nga opozita. Me 75 vota pro, u miratua kërkesa e SPAK në seancën parlamentare që zgjati 8 minuta, duke i hapur kështu rrugë arrestimit të ish-kryeministrit.
“KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: 1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit. II. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendim.