Po marr shkas nga lajmet që industria fason, po merr goditje vijuese në vend e më konkretisht nga largimi i një prej klientëve italianë të një kompanie fason në Shkodër, a nuk do të ishte momenti për një transformim, që atë produkt të përfunduar me mall porositësi, këto kompani ta prodhojnë vetë? Për shembull, të merren statistikat e doganës sesa veshje intime importojmë dhe ajo sasi të prodhohet në vend?
Kështu e ka transformuar sektorin e çementos drejtori i përgjithshëm i parë i Doganave Shqiptare Ahmet Boriçi. Pasi pa sasitë e çementos që zhdoganohej tha, po pse të mos e prodhojmë çementon vetë dhe i nxiti kësisoj një grup investitorësh shkodranë, të krijonin të parën shoqëri aksionere me ofertë publike në vend, “Portland Cimento Shkodra” (24 prill 1930).
LEXONI EDHE: Nga “made in Albania” në “made in Uzbekistan”, kompania e njohur italiane kufizon prodhimin e saj në Shkodër
Tashme janë krijuar shoqëri të konsoliduara të industrisë së lehtë, me linja prodhimi moderne, me punonjës të kualifikuar e pse nuk mundemi të paktën të prodhojmë për nevojat e vendit e me pas për eksport? Ndoshta duhet krijuar edhe një program financiar mbështetës nga qeveria, për industrinë e lehtë, që të kapërcejë ylberin: nga fason (fitim i vogël dhe një pune skllavëruese), në industri prodhuese për nevojat e vendit dhe për eksport. Në mos pastë shpresë duhet ta shpikim atë! /Nga avokate Blerte KRAJA, publikuar në Facebook/