Para viteve ‘90, kur shërbeja në ushtri, u miqësova me një punonjës policie që dikur kishte qenë sambist. Më bënte përshtypje se shpesh herë shkëmbeheshim në rrugë në rrethana pak të çuditshme. Nisesha herët në mëngjes për në një fshat malor mbi qytet dhe policin e takoja duke zbritur. Mendoja se kishte bujtur në fshat dhe një ditë si me shaka i thashë:
– Kadri, mbete në fshat natë për natë .
– Eh mor komandant ta dish ti- psherëtiu – Vij që pa gdhirë e mbledh pisllëqet e fshatit.
E vështrova me habi sepse nuk po e kuptoja alegorinë. Polici hapi çantën e shërbimit dhe më tregoi disa letra të palosura, të shkëputura nga fletore me katrore ose viza.
-Letra anonime? – e pyeta.
– Shpallje anonime, shkruajnë lloj lloj pisllëqesh, thashetheme për probleme morali dhe natën i venë në degë shkurresh apo në ndonjë gur rrugës së fshatit. Kalimtarë të ndryshëm zbresin herët, i lexojnë e i lenë aty për ti lexuar të tjerët. I kam porositur ca miq që të mbledhin letrat por njëri kishte gjetur një letër për të shoqen dhe e rrahu keqas atë dhe pas ca ditësh dhe autorin e letrës sepse i njohu shkrimin. Kështu që detyrohem vetë të dal që me natë. I dërgoj në Degën e Punëve të Brendshme… Belaja tjetër është se në fshat komunikojnë me vërshëllima nga bregu në breg. Ato nuk i marr vesh as vetë… /Nga Skender DODA, publikuar në Facebook/