Rrjetet sociale nuk jane as të mira, as të këqija, por mund të jenë edhe frymëzuese, edhe vdekjeprurëse. Negativitetin apo pozitivitetin e tyre e përcaktojmë ne, ose mënyra apo qëllimi i përdorimit të tyre, pikërisht nga ne.
Ngjarja e zonjës që i dha fund jetës së saj është shumë e rëndë, madje është e tmerrshme arsyeja se pse e ka bërë ajo këtë veprim. Lus Zotin ti japë forcë fëmijëve të saj të përballojnë këtë humbje dhe shpirti i saj u prehte në paqe…!
Por pyetja është, i kujt është faji? I TikTok- ut, apo atyre që e keqpërdorën atë? Se po ta kishin përdorur, qoftë edhe me emrin e zonjës, për ti dhënë zë, bie fjala, vlerave të gruas, apo të familjes, nëna e katër fëmijëve, jo vetëm do ishte gjallë, por mbase mund të kishte shumë ndjekës që do frymëzoheshin prej saj.
S’ ka nevojë të mbyllim TikTok- un, duhet të mbyllim disa njerëz, disa përdorues kriminelë. Se këtyre mendjeve të sëmura i mbyll TikTok- un por kanë Instagramin, hajde pastaj mbyllim edhe Instagramin, por “keqbërësit” kanë Facebook- un, e kështu vazhdon, me dhjetra rrjete sociale ku ata mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Mirëpo ne s’ mund t’i mbyllim të gjitha, se ç’taksirat kemi ne të tjerët të kthehemi në mesjetë…!?
Në fund të fundit, rrjetet sociale janë për tu afruar me njerëzit, dhe jo për tu larguar, apo për tu ndarë përgjithmonë nga ata. Block “vrasësve” të rrjeteve sociale…! /Nga Julian DEDA, publikuar në Facebook/