Mandatin e deputetit që iu dogj Arben Ahmetajt, pasi ndodhet në arrati prej më shumë se 6 muajsh, do ta marrë juristi Plarent Ndreca, i cili pohoi se është i nderuar që të marrë këtë detyrë.
‘Patjeter që do e pranoj, i nderuar që mund të jem në atë detyrë!’- tha Ndreca.
Mandati i kaloi Ndrecës, pas refuzimit që i bëri Dallëndyshe Bici, aktualisht në krye të Kadastrës, e cila ishte në radhë pas Ahmetajt. Në një letër dërguar sot (11 janar) Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Bici informoi kryekomisonerin Ilirjan Celibashi se nuk do të vijojë procedurat ligjore përkatëse për marrjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë.
Shkak për këtë nënvizon Bici, është bërë ‘angazhimi i saj në detyrën funksionale që u ushtron aktualisht në institucionin qendror’. Sipas rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2021 në qarkun e Tiranës, aty ku Ahmetaj u zgjodh deputet, pas Dallëndyshe Bicit, mandati i kaloni juristit Plarent Ndreca, me 4008 vota personale.
Pas mbi 6 muajsh në arrati, Arben Ahmetaj humbi mandatin e deputetit dhe Kuvendi i Shqipërisë njoftoi KQZ-në për vakancën. Në shkresën dërguar KQZ, Kuvendi thotë se Ahmetajt i ndërpritet mandati për shkak të mungesës pa arsye për 6 muaj. Hera e fundit kur ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka qenë në Kuvend ka qenë data 6 korrik 2023.
Mbi Arben Ahmetajn rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me skandalin e inceneratorëve. Më 20 korrik SPAK lëshoi urdhër arresti për të, ndërsa disa ditë më vonë u shpall në kërkim ndërkombëtar.