Këshilli Bashkiak i Malësisë së Madhe ka rrëzuar buxhetin për vitin 2024. Rol parësor në këtë vendimmarrje, ka patur PSD- ja në Malësi të Madhe, e cila ka 8 këshilltarë në këshillin me 31 vende.
Ndërkohë, sipas raportimit të gazetarit të Malësisë së Madhe Rifat Ymeri, ka patur një takim në zyrën e kryebashkiakut Tonin Marinaj mes tij dhe kryetarit të PSD- së Malësi e Madhe Ardian Hysa. Takimi konfirmohet edhe nga vetë Hysa, pa dhënë detaje për çfarë është diskutuar.
Me gjasë, temë e bisedës ka qenë gjetja e një kompromisi të mundshëm për miratimin e buxhetit të vitit 2024 për Malësinë e Madhe, duke tejkaluar ngërçin tashmë publik, mes Marinajt dhe PSD- së.
Ndërsa nuk ka reagime nga asnjëra palë, nga larg duket se palët janë disi më të qeta. Kjo lë të kuptohet se ditën e enjte, buxheti do të miratohet, edhe me votat e PSD- së bashkuar me 6 votat e PS- së në Këshillin Bashkiak të Malësisë së Madhe.