Në mbledhjen e sotme me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike i përbërë nga deputetët e Berishës dhe Gazmend Bardhit, duket se ka pasur debate e përplasje.
Gazetari i News24, Osman Stafa ka zbardhur takimin, ku ndër të tjera deputeti Tomor Alizoti kërkon që të mbrohen figurat e opozitës, ndër ta edhe ish-kryeministri, Sali Berisha.
Alizoti: Ne duhet të bëjmë partinë, duhet të bëjmë mbledhjet në seli, na duhet bashkimi real politik. Pastaj na duhet që secili deputet të shkojë në zonën e vet dhe të takojë qytetarët për problemet e tyre. Ne duhet të kemi një qëndrim si grup parlamentar për Berishën. Unë nuk kam qenë me Sali Berishën, as kam qënë ministër I tij, por duhet të mbrojmë figurat politike të opozitës.
E sa i takon mbrojtjes së Berishës, deputeti Luan Baçi ka propozuar një rezolotë, ku të qartësohet mbrojtja ndaj kryetarit Berisha dhe sulmi politik që po i bën SPAK.
Baci: Të bëjmë një rezolutë, ku të qartësohet mbrojtja ndaj kryetarit Sali Berisha dhe sulmi politik që po bën SPAK. Dhe ju duhet ta njihni që ai është kryetari jonë. Siç ne kemi njohur Gaz Bardhin si kryetar grupi, duhet njohur Sali Berishën si kryetar partie dhe sigurisht edhe sulmi politik që po i behet.
Kjo ide e Baçit, nuk është përshëndetur nga Gazmend Bardhi dhe Bledjon Nallbati, pasi sipas tyre një gjë e tillë nuk do ta ndihmonte Berishën.
Bardhi: Nuk mendoj që ka nevojë për rezoluta. Duhet të merrni me cështjet që i takojnë grupit parlamentar dhe betejës tonë me Edi Ramën. Z. Berisha e ka bërë të qartë që nuk përfshinë grupin parlamemtar në këtë çështje.
Nallbati: Edhe unë nuk mendoj që e ndihmojmë Sali Berishën me rezoluta. Sali Berishën, PD dhe opozitën e ndihmojmë vetëm duke forcuar partinë dhe duke mundur Edi Ramën. Të tjerat janë servilizma pa vlerë që nuk ndihmojnë askënd. Ne duhet të mendojmë sesi forcohet PD dhe opozita.