Dy punësimi është një mundësi reale për të shtuar të ardhurat ekonomike për familjet shqiptare. Nuk janë të pakta rastet, kur shumë persona bëjnë edhe një punë të dytë, mbase edhe duke i mohuar vetes fundjavën e pushimit.
Një nga këto raste, është prezantuar përmes një video nga vetë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, pikërisht në zonën turitike të Bogës. Në një video të publikuar, ajo prezanton Anin, mësuesin që në fundjavë punon edhe si kamarier.
“Ju thashë që Boga është jo thjesht natyrë, por sidomos histori njerëzish që punën e kanë pasion dhe pasioni i nxit të punojnë, si Ani, mësuesi i anglishtes nga Shkodra, që çdo fundjavë punon si kamarier profesionist i vërtetë te Buni i Bajraktarit”, shkruan Kumbaro.
Me gjasë, vetë ministrja Kumbaro ka qenë në zonën e Bogës, sigurisht në fundjavë dhe mesa duket, i ka bërë përshtypje mësues Ani. Për të qarë, qeshur apo reflektuar, kjo mbetet në gjykimin e gjithësecilit.