Trajneri i Vllaznisë Qatip Osmani i ka idetë e qarta në prag të ndeshjes me Erzenin për Superligën. Timonieri kuqeblu e vlerëson me nota maksimale kundërshtarin e radhës, sidomos në aspektin teknik.
Nga ana tjetër, ai thotë se Erzeni është studiuar gjatë kësaj jave dhe është punuar me skuadrën në këtë drejtim. “Me vetëbesim, shkojmë për fitore”, thotë Qatip Osmani në konferencën e zakonshme për mediat para ndeshjes.
Sigurisht, interesi i gazetarëve është përqendruar edhe tek merkato e janarit, ku kryefjalë vijon të mbetet kampioni i botës me Gjermaninë, Shkodran Mustafi. Ai rikonfirmon kontaktet me babain e futbollistit, edhe personale, por shton se “duhet të presim këto ditë se çfarë do të ndodhë”.